Rama: TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në takim me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të masave për sigurinë në shkolla.

Ai tha se tashmë është bërë një plan masash konkrete për bllokimin e Tik Tok. Kryeministri Edi Rama tha se Tik Tok do të mbyllet për një vit e për të bërë këtë do të duhen 6-8 javë.

“Ne kemi bërë të gjitha hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më. Pastaj gjatë këtij viti do të shohim dhe masat që do të marrin dhe vendet e tjera, apo si mund të reagojë vetë Tik Tok”, tha Rama, raporton Euronews.al.

Ai tha se tragjedia u bë shkak që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë.

“U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë. Si gjithnjë qasja ndaj një ngjarje ka zgjedhje të ndryshme. Si gjithnjë qasja ndaj një ngjarje, ka një farsë dhe një marrje përgjegjësie. Si gjithmonë farsa nuk mungoi me gjithë forcën destruktive që rivret të vrarët e riplagos të plagosurit.

E them këtë sepse është shumë e rëndësishme që të kuptohet mire që institucionet, shteti, janë struktura në përmirësim dhe vetëkorrigjim të vazhdueshëm. Nuk ka në asnjë vend që të mos ketë asnjë problem. Çka ka dalë më së miri në të gjithë këtë proces është se në përjetimin, në kuptimin dhe perceptimin e një ngjarje ka dy Shqipëri, një në parlament dhe në media, e një në popullsinë e cila preket drejtpërdrejtë.

Ne kemi ndërtuar si nxitje të këtij këshillimi problemet e Tik Tok, por ajo që kemi marrë nga prindërit është pyetja se si do i bëhet me gjithë këtë dhunë, me gjithë këtë ç’edukim masiv nga mediat që shkojnë në drejtim të kundërt me atë që ne duam për fëmijët tanë. I them këto për të pasur të qartë se nuk mund të parandalohen ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin.

Ajo që i dallon qasjet është reagimi ndaj tyre. Unë sot ndihem i lehtësuar se në një periudhë të shkurtër pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me gjithë faktorët që janë të lidhur me këtë sferë të edukimit të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret me masa konkrete, dhe kemi sigurinë se duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë e më të sigurt.

Kjo është ajo që ne kemi për detyrë. Dua të shpreh publikisht këtu edhe si përgjigje për ata që deshën të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familje e humbja e një jete, duke ngritur gishtin e duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e Arsimit. Ministrja e Arsimit ka gjithë mbështetjen time dhe ashtu sikurse përmirësoi shërbimin shëndetësor, do të përmirësojë edhe sistemin arsimor”, tha Rama.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button