Turqia hedh poshtë pretendimet e SHBA-së për marrëveshje armëpushimi me PKK/YPG/SDG-në
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, pas një deklarate nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ka hedhur poshtë pretendimet për një marrëveshje armëpushimi me grupin terrorist PKK/YPG, që vepron nën emërtimin SDF, raporton Anadolu.
“Ne nuk negociojmë me organizatat terroriste. Ne besojmë se kjo është një gabim në të shprehur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zeki Aktürk, duke hedhur poshtë çdo pretendim për negociata me grupe të tilla.
Në konferencën javore për media, Aktürk lëshoi deklarata të forta mbi disa çështje kyçe ndërkombëtare dhe të sigurisë. “Ne dënojmë fuqishëm vendimin e Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve ilegale në Lartësitë e Golanit, të cilat i ka pushtuar që nga viti 1967”, theksoi Aktürk.
Zëdhënësi i ministrisë turke shprehu shqetësime për veprimet e vazhdueshme të Izraelit në Siri. “Izraeli tani po vazhdon paligjshmërinë e tij në Siri dhe po ruan pushtimin e territoreve. Është thelbësore që sa më shpejt të shpallet një armëpushim dhe të sigurohet stabiliteti rajonal”, tha ai.
Përveç kësaj, ai riafirmoi angazhimin e Turqisë për të luftuar terrorizmin.
“Ne theksojmë se do të vazhdojmë të marrim masa parandaluese dhe shkatërruese kundër organizatave terroriste dhe të bashkëpunojmë me administratën e re në Siri në luftën kundër terrorizmit”, tha Aktürk duke sinjalizuar vazhdimin e bashkëpunimit me udhëheqjen e Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.
Në konferencën për media, ai theksoi përpjekjet kundër terrorizmit të Turqisë, veçanërisht kundër PKK/YPG-së. “Përgatitjet dhe masat tona në luftën kundër terrorizmit do të vazhdojnë derisa organizata terroriste PKK/YPG të braktisë armët dhe luftëtarët e huaj brenda saj të largohen nga Siria”, shtoi Aktürk.
Më tej, ai shprehu besimin e Ankarasë në qeverinë dhe ushtrinë e re të Sirisë. “Ne besojmë se administrata e re në Siri dhe ushtria e saj, Ushtria Kombëtare Siriane, së bashku me popullin sirian do të çlirojnë rajonet e pushtuara nga organizata terroriste PKK/YPG”, tha ai.