Një Sami për të gjithë

Idetë e tij për lirinë, barazinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje nuk kufizoheshin vetëm në Shqipëri dhe për shqiptarët. Ai besonte se të gjitha kombet meritonin të ishin të lira dhe të pavarura, duke qëndruar si të barabarta me njëra-tjetrën. Në veprat e tij, Samiu shpreh vazhdimisht admirimin për lëvizjet kombëtare që po ndodhnin në shekullin XIX dhe lëvizjet e tjera të lirisë në Europë. Kjo e bën Samiun një personalitet të jashtëzakonshëm.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Sami Frashëri është një nga figurat më të shquara dhe më të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Ky 120-vjetor i lindjes është një rast i përshtatshëm për të risjellë në vëmendje trashëgiminë e tij të pasur në thesarin kulturor e historik të këtij kombi, për të ritheksuar ndikimin që ai ka pasur jo vetëm në letrat dhe mendimin shqiptar, por edhe në përforcimin e identitetit tonë kombëtar. Samiu, më shumë se një rilindës shqiptar dhe intelektual universal, është një figurë që shtjelloi, parashtroi dhe përfaqësoi aspiratat më të larta të një kombi që kërkonte vetëdije, arsim dhe të ishte i barabartë me kombet e vetëdijësuara dhe të zhvilluara.

Duke qenë një mendimtar i formatit universal, Samiu nuk i përket vetëm kohës ose brezit të vet, por as edhe një kohe ose një brezi të caktuar. Ai është një figurë që vazhdon të frymëzojë breza të rinj shqiptarësh dhe përtej. Dimensionet e shumanshme të Samiut e bëjnë atë një personalitet që u përket të gjithëve, si një rilindës kombëtar, një intelektual universal dhe një qytetar i botës.

Samiu ynë

Lindi në Frashër të Përmetit në mes të shek. XIX dhe jetoi deri në fillimin e shek. XX, duke u bërë që gjatë jetës së tij dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist, por edhe ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në Frashër dhe Janinë i kaloi vitet e rinisë dhe formimit intelektual, duke marrë një formim solid jo vetëm në kulturën e përgjithshme, por edhe ne gjuhët moderne e të vjetra, të lindjes e të perëndimit: arabishten, persishten, greqishten e re e të vjetër, latinishten, frëngjishten e italishten. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879) u zgjodh kryetar i saj. I drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria”. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi Abetare e gjuhësë shqip (1886), Shkronjëtore e gjuhësë shqip (Gramatikë, 1886) dhe Dheshkronjë (Gjeografi, 1888). Megjithatë, vepra më e spikatur e Samiut tonë është Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, botuar më 1899 në Bukuresht pa emër autori. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtar, vepra që e sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj.

Në historinë shqiptare, periudha e Rilindjes Kombëtare përfaqëson epokën kur shqiptarët filluan të kërkonin me ngut shtimin e vetëdijësimit kombëtar dhe ta afirmonin të drejtën e tyre për një shtet të pavarur. Kjo jo vetëm si pasojë e reagimit ndaj zhvillimeve ballkanike, por më së pari si rrjedhojë e zhvillimit historik të vetë kombit shqiptar. Samiu luajti një rol vendimtar në këtë veprimtari, duke qenë një nga përpunuesit dhe zëdhënësit më të shquar të mendimit kombëtar shqiptar. Vepra e tij monumentale, Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet, është një gur themeli në mendimin kombëtar shqiptar dhe mbetet një manifest i vazhdimësisë së idealit kombëtar. Në këtë manifest, Samiu e përkufizon Shqipërinë si një komb të veçantë, me gjuhë, histori dhe kulturë unike, e cila meritonte një vend të barabartë mes kombeve të tjera të botës. Mendimet e tij për një Shqipëri të lirë, të fortë, të mirarsimuar dhe të zhvilluar i dha frymëzim një brezi të tërë rilindësish, që u angazhuan në rrjedhën rilindëse dhe në përpjekjet për shtet kombëtar shqiptar të pavarur. Kësisoj, mund të thuhet pa drojë se ai ishte një figurë qendrore e Rilindjes Kombëtare. Përmes përpunimit të idesë kombëtariste shqiptare, Samiu e shtjelloi dhe e bëri të përthithshëm në mënyrë të tillë që frymëzoi breza të tërë shqiptarësh. Samiu është në pararojën e atyre që besonin se shqiptarët duhet ta ndërtonin një shtet të tyre mbi baza kombëtare, duke e parashtruar me forcë idenë se shqiptarët ishin një komb i veçantë, dhe kjo veçanti duhej ruajtur dhe zhvilluar në suazat e një shteti të pavarur nga pushteti perandorak në vyshkje të plotë dhe veçanërisht nga ndikimi, tutela ose bashkëlidhja me kombet fqinje.

Duke qenë se sundimi disashekullor perandorak osman dhe ai shumëshekullor bizantin më herët kishin krijuar natyrshëm një koine kulturore dhe historike në Ballkan, ekzistonte gjithnjë mundësia e materializimit të ideve për ndërtimin e entiteteve politike të bazuara mbi këto përbashkësi kulturore dhe historike të popujve ballkanikë. Samiu pati aftësinë vizionare për ta theksuar përpjekjen për zhvillimin e gjuhës shqipe si një mjet i domosdoshëm për forcimin e identitetit kombëtar. Për Samiun, gjuha nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por një shtyllë e rëndësishme e kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare. Ai argumentonte se pa një gjuhë të përbashkët, një komb nuk mund të ekzistonte si njësi e konsoliduar dhe sovrane. Ishte ndër të parët që këmbënguli për krijimin e një alfabeti të përbashkët për shqipen, ngaqë e kuptoi shumë herët se alfabetet e ndryshme, që i përdornin shqiptarët, si ai arab, grek dhe latin, i krijonin vështirësi dhe pengesa përbashkimit kombëtar.

Mjeti i duhur që duhet të shërbente si shtyllë kryesore për përforcimin e ngrehinës së gjuhës ishte pa mëdyshje arsimi. Ai besonte se shkollat shqipe do të ishin vendi ku brezat e rinj do të mësonin jo vetëm gjuhën, por edhe historinë, kulturën dhe vlerat kombëtare. Aftësia e tij për të tejshikuar tek lidhja e ngushtë mes kombit dhe gjuhës një nga shtyllat kryesore të vetëdijes kombëtare ishte themelore në këndvështrimin e tij mbi zhvillimin e idesë kombëtare dhe realizimin e projektit kombëtar shqiptar. Sipas tij, gjuha është shpirti i kombit dhe pa një gjuhë të ruajtur dhe të zhvilluar, një komb do ta humbiste identitetin e tij. Mendimi i Samiut pati ndikim të thellë te rilindësit e tjerë dhe tek rilindja si lëvizje në tërësi, duke qenë i vetëdijshëm se përçimi i ideve dhe masivizimi i tyre ishin po aq të fuqishme sa edhe veprimet politike.

Samiu universal

Samiu nuk ishte thjesht një mendimtar kombëtar, por ishte gjithashtu një intelektual me vizion universal. Në literaturën e huaj, sidomos atë turke, ai është i njohur me emrin Shemseddin Sami. Përmasa tejshqiptare e personalitetit të Samiut merr hov që prej vitit 1872, kur lë vendlindjen, pas përfundimit të studimeve në Janinë, dhe vendoset në Stamboll si një kuadër i formuar shkëlqyeshëm në vendlindje. Samiu mbeti shqiptari nga vilajeti i Janinës kudo dhe gjithnjë, edhe kur me kontributin e tij u sillte vlera të shtuara e dobi të pashlyeshme hapësirave më të gjera kulturore e gjeografike. Çështjen shqiptare diti ta paraqesë, shpjegojë dhe mbrojë edhe në organet e shtypit osman, që ai i drejtoi, sidomos në gazetën turqisht “Terxhuman-i Shark”. Dija e tij e pashoqe për kohën dhe vendin ku jetoi shpaloset pjesërisht në mbi 50 vepra në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, që i botoi në disa fusha të shkencës. Mes tjerash, spikasin fjalori normativ i gjuhës turke Kamus-i turki, (1901) me mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore, i pajisur edhe me një parathënie ku i parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Po ashtu janë edhe fjalorët dygjuhësh frëngjisht-turqisht – Kamus-i fransevi dhe arabisht-turqisht – Kamus-i arabi dhe, natyrisht, vepra madhore e tij është fjalori enciklopedik – Kamus-ul alam (1900) në 6 vëllime, ku kultura dhe historia e shqiptarëve zë një vend të dukshëm.

Idetë e tij për lirinë, barazinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje nuk kufizoheshin vetëm në Shqipëri dhe për shqiptarët. Ai besonte se të gjitha kombet meritonin të ishin të lirë dhe të pavarur, duke qëndruar si të barabarta me njëri-tjetrin. Në veprat e tij, Samiu shpreh vazhdimisht admirimin për lëvizjet kombëtare që po ndodhnin në shekullin XIX dhe lëvizjet e e tjera të lirisë në Europë. Kjo e bën Samiun një personalitet të jashtëzakonshëm, që e ndërkombëtarizon çështjen shqiptare, duke e lidhur atë me një kauzë dhe kontekst universal.

Përtej kufijve kombëtarë, Sami Frashëri ishte një mendimtar që në veprat e tij, promovoi idenë e një shoqërie të lirë dhe të drejtë, ku njerëzit të kishin mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre mbi bazën e meritës dhe arsimit. Këto ideale ai i shihte si universale, të vlefshme për të gjithë njerëzimin. Përmes shkrimeve të tij në turqisht dhe shqip, Samiu ndihmoi në përhapjen e këtyre ideve në Perandorinë Osmane, duke ndikuar jo vetëm tek shqiptarët, por edhe te komunitetet e tjera në rajon. Në këtë mënyrë, ai u bë një figurë që e lidhte Lindjen me Perëndimin, traditën me modernitetin dhe identitetin kombëtar me universalizmin.

Samiu si udhërrëfyes për brezat ose Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, ç’do të bëhet dhe si bëhet

Patriotizmi i Samiut nuk ishte një ndjenjë e thjeshtë romantike, por një angazhim konkret për t’i shërbyer kombit me ide dhe punë. Ai na mëson se dashuria për atdheun nuk duhet të kufizohet në fjalë të mëdha, por duhet të shfaqet në veprime praktike për ta përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Nuk është e domosdoshme të lexohen mendimet dhe idetë e Samiut mbi mënyrat se si mundet dhe duhet të bëhet Shqipëria. Mjafton shembulli konkret i tij, modeli i angazhimit të tij jetësor. Në fakt, modeli i jetës së tij është një dëshmi e kryeidesë së Samiut, se kombi bëhet me mend dhe me mendje.

Samiu mbetet një burim frymëzimi për brezat e sotëm në shumë aspekte: kulturor, arsimor, filozofik dhe patriotik. Vepra e tij, e mbushur me mendime të thella dhe vizion të qartë për të ardhmen e kombit shqiptar, vazhdon të ofrojë mësime të vlefshme për një shoqëri që kërkon progres, drejtësi dhe identitet të fortë. Samiu nuk ishte vetëm një shkrimtar ose mendimtar i zakonshëm, por edhe një intelektual vizionar që e kuptoi rëndësinë e arsimit dhe kulturës për zhvillimin kombëtar. Me veprën e tij, Samiu jo vetëm që e analizoi gjendjen e kombit shqiptar në kohën e tij, por ofroi edhe një udhërrëfyes për zhvillimin dhe pavarësinë. Ai theksoi se identiteti kombëtar nuk mund të ndërtohet pa dije, arsim dhe përkushtim ndaj vlerave kombëtare. Idetë e Samiut për forcimin e gjuhës dhe kulturës shqipe janë më të rëndësishme se kurrë. Ai na mëson se një komb që nuk e ruan dhe zhvillon gjuhën e vet është i dënuar ta humbasë identitetin. Në veprat e tij, Samiu e trajton arsimin si bazën e çdo zhvillimi shoqëror dhe ekonomik. Ai argumentonte se pa një popull të arsimuar nuk mund të ketë as liri të mirëfilltë, as përparim. Ky mesazh mbetet jashtëzakonisht aktual, duke pasur parasysh sfidat e arsimit në Shqipërinë e sotme.

Sami Frashëri, si një personalitet që u përket të gjithë shqiptarëve, mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për shqiptarët dhe trashëgimia e tij mbetet më aktuale se kurrë. Figura e tij është një kujtesë se kombet nuk ndërtohen mbi baza të ngushta politike ose interesa të momentit, por mbi ideale të larta dhe mbi përkushtimin ndaj një vizioni afatgjatë për të mirën e përbashkët. Në 120-vjetorin e lindjes së tij duhet ta kujtojmë jo vetëm si një rilindës kombëtar, por edhe si një qytetar të botës që kontribuoi për zhvillimin e mendimit të lirë dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Një Sami për të gjithë do të thotë një Sami që i përket jo vetëm brezit të tij, por të gjithë brezave.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button