Fillon fushata “Të gjitha të drejtat për të gjithë fëmijët”
Sot, me rastin e Ditës së miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 nëntor 1959 dhe 31-vjetorit të ratifikimit të Konventës nga vendi ynë, Fondacioni për Nisma Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi” dhe Avokati i Popullit në RMV fillojnë fushatën “Të gjitha të drejtat për të gjithë fëmijët”, transmeton Portalb.mk.
Kjo video-fushatë është përgatitur në kuadër të projektit “Fëmijët në vend të parë!”, i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe do të realizohet gjatë periudhës dhjetor 2024 – qershor 2025 në partneritet me Departamentin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara pranë zyrës së Avokatit të Popullit dhe shkollave fillore të përfshira në këtë projekt.
Fushata synon të informojë dhe edukojë publikun për të drejtat e fëmijëve; të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjesëmarrjes së nxënësve dhe përfshirjes së tyre në marrjen e vendimeve përmes Parlamentit të nxënësve dhe Avokatit të nxënësve; si dhe të rrisë vetëdijen për sigurinë e fëmijëve në hapësirën kibernetike dhe për mënyrat e mbrojtjes. Qëllimi është gjithashtu të motivojë të gjitha palët e interesuara (shkollat, prindërit e nxënësve, autoritetet arsimore, përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale) për të kuptuar më mirë të drejtat e fëmijës dhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre, duke i inkurajuar të angazhohen për TË GJITHA TË DREJTAT PËR TË GJITHË FËMIJËT.