Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Trump do takohen të mërkurën në Zyrën Ovale

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të takohen të mërkurën në Zyrën Ovale. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga Shtëpia e Bardhë.

Takime të tilla janë të zakonshëm midis presidentit në largim dhe presidentit të ardhshëm. Takimi ka si qëllim që të japë mesazhin e fillimit të një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.

Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ish Presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe fitoi përballë nën presidentes, Kamala Harris.

Ashtu si Presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, Presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden i telefonoi Presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.

Në një fjalim që mbajti të enjten, Presidenti Biden tha se e kishte siguruar Presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një kalim paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”

Takimi i tyre është caktuar për në orën 11:00.

Historia e Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë

Oval Office apo Zyra Ovale është në plotë kuptimin e fjalës dhoma më e famshme në botë. Ky vend është bërë një simbol i fuqisë globale të SHBA.

Dhoma Ovale në pamjen siç duket sot është ndërtuar në vitin 1909. Atëherë president i Amerikës ishte Uilyam Taft. Kjo dhomë është vendi i punës së kreut të shtetit apo kabineti i presidentit amerikan.

Kur presidenti amerikan Taft urdhëroi projektimin e saj, arkitekti fitues ishte Nathan C. Wyeth nga Uashingtoni, i cili projektoi zgjerimin e saj me një zyrë të re për Presidentin. Wyeth modeloi zyrën e presidentit të ri sipas formës ovale. Dizajni arkitektonik i Zyrës Ovale përbëhet nga tri faza të rindërtimit, të cilat ndodhën në 1902, 1909 dhe 1934.

Ambienti fizik i brendshëm i krahut perëndimor sot ndryshon nga ai i ndërtuar në 1934. Dikur kishte një korridor të madh ku prisnin gazetarët, vizitorët dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë. Në përgjithësi, zyrat ishin më të bollshme.

Sidoqoftë, krahu perëndimor përmban më shumë sesa dhomat zyrtare të Zyrës Ovale, Dhomës së Kabinetit dhe Dhomës Roosevelt, dhe një hapësirë të madhe për stafin. Ngjitur është Kopshti i Trëndafilave, i mbjellë për herë të parë në 1913 dhe i ridizajnuar në 1963.

Zyra Ovale ka shërbyer si për disa nga momentet më ikonike në historinë presidenciale të SHBA-së. Në fakt, zyra është ngulitur aq shumë në vetëdijen amerikane, saqë shumë mendojnë se ka ekzistuar për aq kohë sa vetë vendi. Kjo është një nga keqkuptimet më të zakonshme në lidhje me hapësirën tani ikonike.

Modeli i veçantë oval, sidoqoftë, mund të gjurmohet që në presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vetë George Washington. Meqenëse mandati i tij parapriu Shtëpinë e Bardhë, Uashingtoni banoi në një seri pallatesh presidenciale, njëra prej të cilave, e vendosur në kryeqytetin e atëhershëm të Filadelfias, u rinovua për të akomoduar një ceremoni të veçantë politike të njohur si një “niveli”.

Në vitin 1933, Franklin Roosevelt vendosi të zgjerojë Krahun Perëndimor dhe zhvendosi vendndodhjen e Zyrës Ovale në cepin juglindor të ndërtesës.

/rtsh.al/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button