Për një javë dogana kap cigare, puro, tekstil e para

Gjatë javës së kaluar, përveç konfiskimit të 30.000 eurove në vendkalimin kufitar Bogorodicë, orëve të dorës në Aeroportin e Shkupit, 6.800 eurove në vendkalimin kufitar Tabanovc, doganierët kanë parandaluar tentimet për kontrabandim të cigareve dhe purove dhe tekstilit:
Cigaret
– 69 pako cigare pa pulla akcize të markave Karelia, Ome dhe Parlament Aqua Blue, të zbuluara në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, gjatë kontrollit të bagazheve të udhëtimit të një shtetasi të Maqedonisë, i cili kishte për qëllim të udhëtonte me fluturim për në Londër. Pas përfundimit të kontrollit, pasagjeri ka kaluar doganën pa denoncuar dhe deklaruar asgjë, por gjatë kontrollit në valixhen e tij doganierët kanë gjetur 69 pako cigare të padeklaruara pa pulla akcize. Cigaret janë ndalur përkohësisht, ndërsa ndaj pasagjerit është nisur procedimi përkatës.
Puro
– 100 puro të markave Cohiba, Bolivar, Trinidad dhe Montecristo, të zbuluara nga ekipet mobile doganore, gjatë kontrollit të një autobusi me targa të huaja, në pikën kufitare Deve Bair në hyrje të vendit. Gjatë kontrollit të autobusit, pas sediljes së shoferit u gjetën 100 puro të padeklaruara në thasë me ushqime dhe në një çantë shpine me garderobën e shoferit. Malli është mbajtur dhe ndaj personit ka nisur procedimi përkatës.
Rroba
– 413 veshje (fustane, pantallona për femra, bluza dhe këmisha), të zbuluara në hyrje të shtetit në vendkalimin kufitar Tabanoc gjatë kontrollit të autobusit me targa të Maqedonisë. Kur u pyet nga doganieri nëse kishte ndonjë gjë për të raportuar, shoferi i autobusit tha se nuk kishte asgjë për të raportuar. Gjatë kontrollit doganor të autobusit, malli i padeklaruar u gjet në gomën e pasme dhe në dhomëzën e bagazhit ndërmjet çantave dhe valixheve të pasagjerëve, të mbështjellë me thasë najloni dhe qese të ngjitura me shirit ngjitës. Produktet e tekstilit janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj drejtuesit të mjetit është ngritur procedim për kundërvajtje, njofton Dogana.