Askush në Maqedoni nuk ka informacione të sakta për numrin e lejeve të integruara ekologjike – B të cilat komunat ua lëshojnë kompanive!

Qendra për Komunikime Qytetare e publikoi hulumtimin për procesin e dhënies së lejeve të integruara ekologjike – B, i cili është bërë në: Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë, Çair dhe Shtip.
Nga hulumtimi është zbuluar që në shtet, askush nuk ka në dispozicion informacione të sakta për numrin e lejeve të integruara ekologjike – B të cilat komunat ua lëshojnë kompanive, kurse veprimtaria e të cilave ka ndikim mbi mjedisin jetësor. Në bazë të Regjistrit që e mban Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, 278 kompani janë bartës të lejeve të integruara – B. Gjithashtu, nga hulumtimi rezulton se një pjesë e lejeve të cilat komunat i kanë lëshuar nuk janë të publikuara në Regjistrin, ndërkaq disa nga firmat, megjithëse i kanë mbyllur stabilimentet e tyre ende figurojnë në Regjistër.
Më saktësisht, nga hulumtimi kanë rezultuar këto informata kryesore:
• Edhe pse firmat që janë bartës të lejeve të integruara ekologjike – B duhet të paguajnë tarifa në disa baza, megjithatë, edhe komunat e mëdha mbledhin vetëm nga disa mijëra denarë në nivel vjetor në këtë bazë. Kjo situatë hap dyshimet se komunat nuk ua përllogarisin tarifat për licencë të integruar – B të gjithë bartësve të atyre licencave. Ndërkaq, një pjesë e kompanive nuk i paguajnë rregullisht as tarifat kështu të ulëta e të cilat e kanë për detyrë për t’i paguar.
• Shuma e tarifave vjetore që i paguajnë kompanitë të cilat janë bartës të lejes së integruar ekologjike – B dallon duke filluar nga 915 denarë deri 22.860 denarë.
• Dallimet e mëdha në të ardhurat që komunat i realizojnë në këtë bazë sugjerojnë në konkluzionin që nuk ka një metodë të unifikuar të përllogaritjes së tarifave për lejet e integruara ekologjike – B.
• Duke e pasur parasysh se tarifat vjetore çdo vit janë identike për shumicën e stabilimenteve që posedojnë leje të integruar ekologjike – B, kjo mund të interpretohet se disa prej stabilimenteve nuk parashtrojnë as raporte vjetore për matjet e ndotjes dhe se tarifa vjetore e tyre nuk përcaktohet plotësisht.
• Komunat nuk e kanë praktikë për t’i informuar qytetarët për të ardhurat që i realizojnë nga kompanitë të cilat janë bartës të lejeve të integruara ekologjike – B. Mungesa e transparencës e rrit rrezikun për abuzime.
• Komunat nuk kanë regjistra të ndotësve. Disa prej tyre i kanë përpunuar të ashtuquajturat kadastra të ndotësve, megjithatë në nivel të industrive dhe jo të firmave ndaras.
• Çdo e dyta komunë ballafaqohet me mungesë të personelit inspektues në sferën e mjedisit jetësor.
Ky hulumtim është përpunuar në kuadër të projektit “Mbrojtje nga korrupsioni”, me ndihmë financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup, i zbatuar nga Qendra për Komunikime Qytetare, për periudhën nga 1 nëntor 2021 deri më 31 tetor 2024.



