Shpërthimi i Ebolës në Kongo “po përparon më shpejt se përpjekjet për ta frenuar”

Shpërthimi i Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos po përparon më shpejt sesa përpjekjet për ta frenuar atë, ka paralajmëruar organizata Mjekët pa Kufij (MSF), duke shtuar se përmasat dhe ashpërsia e epidemisë mbeten të paqarta për shkak të mangësive të mëdha në testime dhe logjistikë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar gjatë vizitës në Bunia të drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botëroret ë Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, MSF-ja tha se situata në provincën Ituri është “thellësisht alarmante” dhe ndryshe nga shpërthimet e mëparshme për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve menjëherë pas shpalljes së epidemisë.
“Asnjëherë më parë një shpërthim i Ebolës nuk ka regjistruar kaq shumë raste kaq shpejt pas shpalljes së tij”, tha Dr. Alan Gonzalez, zëvendësdrejtor i operacioneve të MSF-së.
MSF-ja tha se qindra mostra të dyshuara mbeten ende të patestuara, ndërsa kufizimet në kufij dhe aeroporte po vonojnë mbërritjen e furnizimeve thelbësore mjekësore dhe të personelit specialist të nevojshëm për të zgjeruar reagimin ndaj krizës.
“Realiteti sot është se askush nuk e di shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të këtij shpërthimi”, tha Gonzalez.
Organizata theksoi se shpërthimi përfshin variantin Bundibugyo të Ebolës, për të cilin nuk ekzistojnë vaksina të miratuara apo trajtime specifike, gjë që e ndërlikon më tej përpjekjen për ta vënë nën kontroll.
MSF-ja gjithashtu paralajmëroi se strukturat shëndetësore të mbingarkuara po hasin vështirësi në ofrimin e kujdesit rutinë, duke rritur rrezikun e pasojave më të gjera shëndetësore përtej Ebolës.
Organizata bëri thirrje për zgjerim urgjent të kapaciteteve të testimit, vendosje më të shpejtë të burimeve humanitare dhe koordinim më të mirë të ndihmës ndërkombëtare. Ajo theksoi se përfshirja e komuniteteve është thelbësore për të fituar besimin e popullsisë dhe për t’i inkurajuar njerëzit të kërkojnë trajtim.
“Përgjigjja nuk mund të ketë sukses nëse u imponohet komuniteteve, në vend që të ndërtohet së bashku me to”, tha MSF.
Sipas të dhënave më të fundit të OBSH-së, të paktën 134 raste të konfirmuara të Ebolës janë raportuar në shpërthimin aktual në Kongo dhe Ugandë.
Autoritetet shëndetësore kongoleze kanë bërë të ditur se raste të reja të dyshuara vazhdojnë të regjistrohen, ndërsa numri kumulativ i rasteve të raportuara që nga shpallja e shpërthimit ka kaluar 1,000.
Nga rastet e konfirmuara, nëntë janë regjistruar në Ugandë, ndërsa numri i viktimave nga Ebola ka arritur në 18 mes rasteve të konfirmuara në të dy vendet.
