Në Maqedoni 1543 viktima të dhunës në familje, nga të cilat 227 fëmijë

Me iniciativën e Biljana Angellovas, bashkëshorte e ambasadorit të Bullgarisë në Maqedoni, do të fillojë fushata “Stop dhunës në familje” që po zbatohet për të tretin vit radhazi. Sivjet slogani i fushatës është “Viktimat nuk kanë faj!”, dhe fokusi është dhuna në familje ndaj fëmijëve.
– Këtë vit vendosa që fushata të vihet në fokus të dhunës ndaj fëmijëve si viktima të drejtpërdrejta, por edhe të tërthorta. Çfarë mesazhesh po u dërgohen fëmijëve që rriten në një mjedis plot dhunë dhe çfarë shembulli po jepet për ata fëmijë? Fëmijët janë pasqyra e prindërve të tyre. Kjo bazohet në faktin se në vitet e formimit të fëmijëve ata mësojnë nga shembulli i prindërve. Një fëmijë që rritet në një mjedis plot dhunë mëson se kjo është mënyra normale e funksionimit – duke ushtruar dhunë, apo duke toleruar dhunën. Dhuna është një cikël që kalon nga një brez në tjetrin dhe e vetmja mënyrë për ta thyer këtë cikël është të ndërgjegjësohemi për problemin, të fillojmë ta përballojmë atë dhe të punojmë në mënyrë aktive për të qenë një shembull i mirë për fëmijët tanë”, ka deklaruar Angellova.
Për këtë shkak më 12 dhjetor, në orën 12 të gjithë që duan ta ngrejnë zërin kundër dhunës në familjes do të duhet të dalin në sheshet e qyteteve të tyre, për të protestuar dhe thënë Stop dhunës.
Dhuna në familje është një problem kompleks që mund të shfaqet në forma të ndryshme – si abuzim emocional, fizik ose seksual i partnerit dhe/ose fëmijëve, si dhe neglizhimi i tyre. Kjo formë e dhunës paraqet një problem global në sferën e të drejtave të njeriut dhe shëndetit publik, i cili përsëritet në mënyrë ciklike dhe të vazhdueshme.
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.543 viktima të dhunës në familje, nga të cilat 227 fëmijë, në Bullgari, nga 736 viktima, 542 janë fëmijë, dhe në Kosovë janë regjistruar 120 fëmijë – viktima të dhunës në familje. Kjo do të thotë se ka gjithsej 2735 raste të regjistruara, duke bërë të qartë se ky problem është i të gjithëve.



