Norvegjia ia dorëzon dokumentet e njohjes kryeministrit palestinez

Të mërkurën e kaluar, Irlanda dhe Spanja bënë një zotim të përbashkët me Norvegjinë për të njohur një shtet palestinez, një lëvizje historike që ka rritur izolimin e Izraelit më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Dorëzimi i dokumenteve të njohjes nga ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide për kryeministrin e palestinezëve u bë në Bruksel, ku Mohammad Mustafa u takua edhe me ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të lartë të BE-së për të thelluar mbështetjen e tyre për palestinezët.
Norvegjia nuk është anëtare e BE-së.
Lëvizja diplomatike nga të tre vendet ishte një nxitje e mirëpritur e mbështetjes për zyrtarët palestinezë, që kanë kërkuar për dekada krijimin e një shteti në Jeruzalemin lindor, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, territore që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe ende i kontrollon.
Rreth 140 vende, më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, e njohin shtetin palestinez, por shumica e 27 vendeve të BE-së ende nuk e njohin atë. Disa vende të BE-së kanë thënë se do ta njihnin shtetin palestinez në një kohë të përshtatshme.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbështesin idenë e një shteti të pavarur palestinez, që do të ekzistonte përkrah Izraelit, por thonë se ajo duhet të arrihet përmes një zgjidhjeje të negociuar.
Dorëzimi i dokumenteve të njohjes të dielën erdhi vetëm dy ditë pasi Gjykata e Ndërkombëtare Penale urdhëroi Izraelin të ndërpriste menjëherë ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në lëvizjen e fundit për të shtuar trysninë mbi vendin gjithnjë e më të izoluar.