TAV Maqedonia tërheq kufizimin për hyrjen falas në zonën “Hug & Fly”

TAV Maqedonia e ka tërhequr vendimin me të cilin qasja falas e një automjeti në zonën “Hug & Fly” në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ishte kufizuar në vetëm një hyrje brenda 24 orëve të një automjeti, përcjell TV21.
Vendimi është tërhequr pasi Komisioni për Vendimmarrje në Procedurë Kundërvajtëse pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, gjatë analizës së kushteve dhe mënyrës së përdorimit të zonës “Hug & Fly”, kërkoi nga TAV Maqedonia sqarime dhe të dhëna shtesë lidhur me kufizimin e vendosur.
Nga Komisioni bëjnë të ditur se TAV Maqedonia i ka njoftuar se e ka tërhequr vendimin.
Komisioni e ka përshëndetur këtë vendim dhe njofton se do të vazhdojë të monitorojë gjendjen dhe kushtet e qasjes në infrastrukturën aeroportuale, veçanërisht për të siguruar kushte të barabarta dhe jodiskriminuese për të gjithë pjesëmarrësit në treg.
Nga Komisioni theksojnë se mbeten të përkushtuar për mbrojtjen e konkurrencës dhe se do të veprojnë brenda kompetencave ligjore sa herë që ekziston mundësia që kushte apo masa të caktuara të ndikojnë në konkurrencë dhe interesat e qytetarëve.



