Rasti “Lotaria Shtetërore” Grubi, Bajrami dhe të tjerët në bankën e të akuzuarve: Askush nuk pranon fajin për dëmin prej 596 milionë denarë

Ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Perparim Bajrami, është deklaruar se nuk ndihet fajtor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Shtatë të akuzuarit dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh.
Në seancën e sotme, edhe i akuzuari Bashkim Avdiu deklaroi se nuk ndihet fajtor. Të gjithë të akuzuarit në këtë rast kanë deklaruar më herët se nuk ndihen fajtorë.
Përveç Bajramit, në rastin janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Pas largimit nga vendi, për Bajramin ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar. Më 9 shtator, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e paraburgimit.
Rasti po ndiqet nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin gjyqësor e drejton gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski.



