OBSH: Më shumë se gjysma e spitaleve të Gazës nuk punojnë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se 20 nga gjithsej 36 spitale në Gaza nuk funksionojnë më, përfshirë spitalin e fëmijëve që pushoi së funksionuari pas sulmit izraelit në zonë, raporton REL.
Zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris tha sot se spitali Rantisi në veri nuk funksionon më, por nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me pacientët.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha më herët se forcat izraelite goditën një zonë pranë Kompleksit Mjekësor Shifa, spitali më i madh i Gazës mbrëmë, duke vrarë gjashtë palestinezë, ndërsa u bombarduan edhe zonat pranë disa spitaleve të tjera, duke përfshirë Spitalin Rantisi.
Harris thotë se disa nga fëmijët janë në dializë ose mbështetje për jetën dhe nuk mund të evakuohen në mënyrë të sigurt. Ajo tha se “spitalet nuk duhet të jenë kurrë një objektiv”.
Një “katastrofë e shëndetit publik” është e pashmangshme në Gaza për shkak të mbipopullimit, zhvendosjes masive dhe dëmtimit të infrastrukturës, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë më 31 tetor.