Kapet njëri prej vjedhësve të sefit në Shkup, është vetëm 23 vjeçar

Prokuroria themelore publike në Shkup ka iniciuar procedurë kundër një të dyshuari 23 vjeçar për veprën penale Vjedhje e rëndë nga neni 236 paragrafi 1 pika 1 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për vjedhje të inçizuar me kamera amatore që bëri bujë në internet.
I dyshuari në natën ndërmjet 31 marsit dhe 1 prillit, së bashku me tre persona të tjerë, kanë hyrë në një market të mbyllur në rrugën Vostaniçka në Shkup, kanë marrë një kasafortë metalike në vlerë prej 12.000 denarë, qarkullim ditor në vlerë prej 228.000 denarë dhe cigare në vlerë prej 45.000. denarë, ose në vlerë të përgjithshme prej 285.000 denarë (4,621 euro).
“Ata kanë mbërritur para marketit me një automjet, duke përdorur mjetet për ta hapur derën e hyrjes, por nuk kanë arritur ta hapin. Njëri prej autorëve ka ndezur makinën dhe e ka goditur derën e hyrjes me të, duke thyer të dyja dyert rrëshqitëse. Më pas së bashku me të dyshuarit e tjerë i kanë çmontuar dhe i kanë vendosur pranë hyrjes së marketit. Përmes hapjes së bërë në këtë mënyrë, i dyshuari së bashku me persona të tjerë kanë hyrë në dhomën e dedikuar për punonjësit nga ku kanë marrë kasafortën metalike me xhiro ditore dhe cigare dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, njofton Prokuroria.
Meqenëse ekzistojnë rrethana që qartë tregojnë rrezik për arratisje, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Policia po punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij.



