Osmani: Deri në frymën e fundit do të punojmë për ndryshimet kushtetuese

Tashmë jemi në mes të nëntorit, por seanca për votimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese nuk po thirret, shkruan TV21. I pyetur nëse po shkelet afati që të njëjtat të miratohen deri në fund të nëntorit, ministri i Jashtëm, njëherë edhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani tha se kjo nuk është përgjegjësi e vetëm një partie. Ai mes tjerash tha se deri në frymën e fundit do të punojnë për realizimin e këtyre ndryshimeve.
“Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur dhe nuk do të lëmë gurë pa lëvizur, derisa të bëjmë ndryshimet kushtetuese, për shkak se e dimë se pa ndryshimet kushtetuese, nuk ka BE, nuk ka negociata me BE-në. Pa negociata me BE-në ne nuk mund të funksionojmë si shoqëri, pa këtë raport që e jep sot BE si skener, si diagnozë për të gjitha dobësitë, ne as nuk do të kemi mundësi t’i detektojmë dobësitë tona, as t’i korrigjojmë dobësitë tona, prandaj deri në momentin e fundit, deri sa kemi frymën e fundit, derisa kemi mundësinë e fundit, ne nuk do të ndalemi së punuari për ndryshimet kushtetuese”, tha Osmani.



