Bujar Osmani: E dënoj fuqishëm sulmin e Iranit kundër Izraelit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media, ka dënuar fuqishëm sulmin masiv të Iranit ndaj Izraelit gjatë natës së kaluar, i cili ka thënë se mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme. “E dënojmë këtë sulm siç i kemi dënuar edhe sulmet e mëparshme dhe siç do të dënojmë sulmet hakmarrëse eventuale që paralajmërohen. Dhuna shkakton dhunë dhe ky cikël i përsëritur hakmarrjeje e përshkallëzon në mënyrë të pakthyeshme situatën në rajon, e cila shumë lehtë mund të zgjerohet; Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune, sepse nëse dhuna hakmarrëse nuk ndalet tani, situata do ta kalojë së shpejti pikën nga e cila nuk do të ketë kthim prapa” tha Osmani. Osmani iu referua edhe gjendjes shumë të rëndë të popullatës civile në Gaza, duke theksuar se “Izraeli mban përgjegjësinë e vet për vuajtjet e civilëve e të cilën ne parimisht e dënojmë”.



