Taravari nga Çarshia e Shkupit: 8 maji do ta çojë shtetin në një reformim total

Krerët e koalicionit opozitar VLEN vizituan Çarshinë e Shkupit ku pas namazit të xhumasë u takuan aktivistët dhe me qytetarë.
Kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari, foli edhe për rastin “Monstra” dhe deklaroi se duhet të iniciohet procedurë që të tregohet se njerëzit të cilët janë në burg, janë të pafajshëm.
“Ju kujtohet biseda mes Jankulloskës dhe Mijallkovit se nuk guxojmë t’i lëshojmë edhe pse njerëzit janë të pafajshëm sepse sistemi bie. Ne duhet të merremi me këtë sistem realisht sepse shumë njerëz janë nëpër burgje kot duke mos pasur aspak faj dhe absolutisht unë nuk them një afat të caktuar por si autoritet do të insistoj që sa më parë të zbardhen. Nuk duhet të falen, thjesht duhet të sillet drejtësia për këto njerëz dhe këtyre njerëzve t’ju kërkohet falje prej shoqërisë dhe prej shtetit, bile bile edhe t’ju paguhet dëmshpërblim”, tha Taravari.
Ai po ashtu tha se ndryshimet që do të ndodhin me 8 maj do të jenë ndryshime të cilat do ta çojnë shoqërinë dhe shteti në një reformim total.



