Gashi në patronatin e Sh. f. “22 Nëntorit”: Gjuha, identiteti dhe arsimi janë ura që bashkojnë brezat

Afrim Gashi rikthehet në shkollën ku ishte nxënës, këtë herë si prind: Një emocion i veçantë në patronatin e “22 Nëntorit” në Hasanbeg
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në patronatin e Shkollës Fillore Komunale “22 Nëntori” në Hasanbeg, një institucion arsimor me të cilin e lidhin kujtime të veçanta personale, pasi aty ka ndjekur dikur mësimet si nxënës.
Përmes një njoftimi, Gashi ka ndarë emocionet e rikthimit në shkollën e tij, kësaj radhe në një rol tjetër, si prind, duke parë fëmijët e tij të marrin pjesë në aktivitetet festive, të recitojnë dhe të krijojnë kujtimet e tyre shkollore.
“Ka një emocion të veçantë kur rikthehesh në shkollën ku dikur ke qenë nxënës, dhe sot, si prind, sheh fëmijët e tu duke recituar, duke mësuar e duke krijuar kujtimet e tyre. Për mua, SHFK ‘22 Nëntori’ në Hasanbeg ka një vlerë të papërshkrueshme, sepse kjo shkollë është pjesë e historisë sime personale dhe e rrugëtimit tim arsimor”, ka theksuar Gashi.
Ai ka vlerësuar edhe programin e përgatitur nga nxënësit, duke e cilësuar patronatin si një moment që bashkon brezat dhe përcjell rëndësinë e gjuhës, identitetit dhe arsimit.
“Patronati i sotëm, i shoqëruar me performancat e bukura të fëmijëve, ishte një urë e bukur mes brezave, në prag të një feste që simbolizon gjuhën, identitetin dhe arsimin tonë”, ka shkruar kryeparlamentari Afrim Gashi.



