Haxhi Vasileva merr drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Iskra Haxhi Vasileva ka marrë zyrtarisht detyrën si udhëheqëse e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke pasuar në këtë pozitë Islam Abazin. Pranim-dorëzimi i detyrës u realizua në hapësirat e Prokurorisë.

Pas këtij procesi, Haxhi Vasileva dhe Abazi do të zhvillojnë edhe një takim me kryeprokurorin Nenad Saveski.
Haxhi Vasileva u zgjodh në këtë pozitë në zgjedhjet e mbajtura më 28 tetor të këtij viti, ku fitoi 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme. Për këtë funksion garuan edhe prokurorët publikë Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq dhe Jovan Cvetanovski.

Pas dhënies së deklaratës solemne para Këshillit të Prokurorëve Publikë, udhëheqësja e re bëri të ditur se prioritetet e saj kryesore do të jenë ndjekja efikase penale, funksionimi efektiv i Prokurorisë dhe shfrytëzimi maksimal i burimeve në dispozicion në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo paralajmëroi angazhim për shfrytëzim më efikas të kapaciteteve ekzistuese dhe sigurimin e burimeve shtesë, me qëllim arritjen e rezultateve më të mira në punën e Prokurorisë.

Zgjedhja e udhëheqëses së re u realizua pas përfundimit të mandatit të Islam Abazit, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë në tetor të vitit 2022.

Haxhi Vasileva është udhëheqësja e dytë e kësaj Prokurorie që zgjidhet përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta dhe votimit të fshehtë nga të gjithë prokurorët publikë në vend.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button