Turqia dhe 17 vende të tjera dënojnë sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza, bëjnë thirrje për respektimin e armëpushimit

Turqia dhe 17 vende të tjera kanë dënuar fuqishëm sulmin ajror izraelit ndaj Kompleksit Mjekësor Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës, nga i cili pati viktima në mesin e pacientëve dhe personelit mjekësor, si dhe i bënë thirrje Izraelit të respektojë armëpushimin dhe të lejojë dërgimin e pakufizuar të ndihmave humanitare, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, kryediplomatët e Turqisë, Algjerisë, Xhibutit, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Libisë, Mauritanisë, Omanit, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite, Somalisë, Sudanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se sulmi përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare, e cila u ofron mbrojtje të posaçme objekteve mjekësore dhe punonjësve shëndetësorë.
Ministrat gjithashtu dënuan sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj civilëve palestinezë, përfshirë goditjet ndaj tendave dhe strehimoreve të tjera ku janë vendosur personat e zhvendosur, duke paralajmëruar se sulme të tilla minojnë armëpushimin dhe përpjekjet për rivendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në Gaza.
Ata thanë se këto sulme nuk janë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të presidentit amerikan, Donald Trump.
Duke shprehur shqetësim të thellë për kufizimet e vazhdueshme të Izraelit ndaj ndihmave humanitare, materialeve për strehim dhe furnizimeve mjekësore, ministrat paralajmëruan se kushtet në Gaza po përkeqësohen me afrimin e dimrit.
Ata theksuan se mungesa e strehimit të përshtatshëm dhe përkeqësimi i shërbimeve të ujësjellësit, kanalizimeve dhe kujdesit shëndetësor i vënë civilët, veçanërisht fëmijët dhe foshnjat, në rrezik serioz për të humbur jetën nga ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta.
Thirrje drejtuar Izraelit, agjencive të OKB-së dhe organizatave humanitare
Deklarata i bëri thirrje Izraelit t’u përgjigjet thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe Bordit të Paqes, si dhe të përmbushë menjëherë detyrimet e tij sipas Marrëveshjes së Sharm el-Sheikhut, Planit Gjithëpërfshirës të Trumpit dhe Rezolutës 2803 (2025) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ministrat i kërkuan Izraelit të respektojë armëpushimin, të mbrojë civilët dhe objektet mjekësore, si dhe të garantojë dërgimin e sigurt, të vazhdueshëm dhe pa pengesa të ndihmave të mjaftueshme humanitare, përfshirë materialet për strehim, furnizimet për rimëkëmbjen e hershme dhe pajisjet e nevojshme për rikthimin e infrastrukturës jetike.
Ata kërkuan gjithashtu që agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare të lejohen të kryejnë punën e tyre pa pengesa.
Ministrat theksuan se angazhimet e përcaktuara në fazën e parë duhej të hynin në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe duhet të zbatohen pa vonesa apo kushte shtesë politike ose të sigurisë që kufizojnë qasjen humanitare.
Ata gjithashtu theksuan se ndihma urgjente humanitare nuk duhet të kushtëzohet nga përparimi në fazat e mëvonshme të planit.
Ministrat i bënë thirrje SHBA-së dhe Bordit të Paqes që, në kuadër të roleve të tyre përkatëse, të intensifikojnë përpjekjet për të siguruar që Izraeli të zbatojë plotësisht angazhimet e tij dhe të heqë të gjitha kufizimet ndaj ndihmave humanitare që hyjnë në Gaza, duke paralajmëruar se besueshmëria e marrëveshjeve dhe konsolidimi i armëpushimit varen nga zbatimi i tyre.
Ata riafirmuan angazhimin për të bashkëpunuar me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për konsolidimin e armëpushimit, zbatimin e të gjitha fazave të planit dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez.



