Aurel Plasari kundërshton projektin e Muzeut Hebraik: Monumentet nuk janë thjesht asete turistike

Studiuesi dhe historiani Aurel Plasari ka reaguar publikisht në mbrojtje të godinës historike të Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë, duke kundërshtuar tjetërsimin e saj në kuadër të projektit për ndërtimin e Muzeut Hebraik. Në një postim në rrjetet sociale, Plasari ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe identitetit historik të tyre.

Sipas studiuesit, vlera e monumenteve nuk mund të kufizohet vetëm te potenciali turistik, pasi ato përbëjnë një burim të pazëvendësueshëm njohurish për historinë dhe edukimin e brezave të rinj. Reagimi i tij i bashkohet shqetësimeve të ngritura nga qytetarë, studiues dhe Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit”, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjet që mund të cenojnë karakterin historik të godinës.

Qëndrimi i Plasarit vjen në një kohë kur projekti i Muzeut Hebraik në Vlorë është përfshirë në debate dhe kundërshtime publike, ndërsa Gjykata Administrative e Lushnjës ka lënë në fuqi pezullimin e punimeve.

Postimi i plotë i Aurel Plasarit:

“PRO MBROJTJES SË KLUBIT ‘LABËRIA’!

Kundër – krejtësisht kundër – tjetërsimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë thjesht ‘asete turistike’. Sidomos nuk janë të tilla për atë shumicë turistësh, të cilët i shijojnë nëpër foto sitet historike që nuk kanë pasur kohë t’i shijojnë në vend, ngase kanë qenë të zënë duke bërë fotot.

Monumentet e trashëgimisë kulturore janë shkollë e gjallë për brezat e rinj të njëpasnjëshëm, për të njohur historinë e vendit të tyre, për ta respektuar atë, mirë do të ishte edhe për ta dashuruar”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button