Kurti takohet me Macronin, diskutojnë bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, transmeton Anadolu.
Kurti, nëpërmjet rrjetit social amerikan “X”, ka thënë se Franca ka qenë një aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta për çlirim dhe pavarësi dhe vazhdon të jetë një partnere e afërt e Republikës së Kosovës.
Kurti tha se në takim me presidentin Macron shprehu mirënjohjen për iniciativën e Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë, çështje kjo që ishte në qendër të vëmendjes në Forumin e Paqes në Paris të këtij viti.
“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si dhe për investimet infrastrukturore që kemi planifikuar gjatë këtij mandati, përfshirë ndërtimin e digave, zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, hekurudhat dhe stadiumet. Po ashtu, shkëmbyem mendime për klimën e përgjithshme ekonomike në Evropë dhe rëndësinë e një reagimi të koordinuar evropian ndaj sfidave aktuale”, shkroi Kurti.
Kryeministri kosovar tha se biseda u përqendrua gjithashtu në stabilitetin politik të Kosovës pas zgjedhjes së presidentit, rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe rëndësinë e një procesi të bazuar në merita.



