Lewis Hamilton akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza: “Nuk dua që të mësohemi me vuajtjet e tyre”

Piloti britanik i Formula 1, Lewis Hamilton, ka reaguar ashpër për situatën humanitare në Gaza, pas vizitës së tij në kufirin e Rafahut, në Egjipt. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamilton përshkroi atë që pa në terren, duke përfshirë kamionët me ushqime që presin të hyjnë në Gaza dhe ndihmat humanitare që, sipas tij, refuzohen për arsye të pajustifikueshme.
“Tre vitet e fundit të gjenocidit të Izraelit në Gaza janë të tmerrshme. Është një padrejtësi që njerëzve u mohohen liria, siguria dhe dinjiteti. Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të trajtohet sikur jeta e saj vlen më pak.
Pashë mure që shtriheshin për kilometra të tëra, të ndërtuara për t’i mbajtur ata brenda. Teksa qëndroja aty, jashtë asaj që ngjante me një burg në qiell të hapur, gjithçka që mendoja ishte se si të hyja brenda për të ndihmuar.
Në kufirin e Rafahut pashë kamionë të mbushur me ushqime, të rreshtuar dhe të gatshëm për të hyrë, por që rregullisht nuk lejohen të kalojnë ose përballen me vonesa të mëdha. Shoferi i parë në radhë, me të cilin bisedova, kishte pritur tashmë më shumë se 12 orë.
Në qendrën e logjistikës aty pranë pashë punën e palodhshme të Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, por pashë edhe ndihmat që refuzohen për arsye të çmendura. Thasë gjumi, kuti të ndihmës së parë, pajisje mjekësore, karroca për persona me aftësi të kufizuara, madje edhe topa futbolli për fëmijët.
Izraeli duhet t’i përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe të lejojë hyrjen e kamionëve me ndihma. Nuk ka asnjë justifikim.
E di që shumë njerëz ndihen po aq të pafuqishëm. Kanë të njëjtën nevojë për të bërë diçka, në vend që vetëm të shikojnë. Nuk dua që të mësohemi me vuajtjet e tyre. Nuk dua që të kthejmë kokën nga ana tjetër”, ka shkruar Lewis Hamilton.



