Policia Financiare: Kallëzim penal ndaj dy personave dhe një kompanie në falimentim për fshehje tatimore prej 378 mijë eurosh

Tërhoqën para nga llogaria e kompanisë, dhanë miliona euro hua pa i evidentuar në dokumentacionin tatimor dhe fshehën detyrime prej rreth 2.4 milionë eurosh. Për këto dyshime, Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj dy personave dhe një kompanie që tashmë ndodhet në falimentim.
Sipas njoftimit të Policisë Financiare, bëhet fjalë për periudhën 2022–2023, kur dy të dyshuarit, njëri si person i autorizuar dhe tjetri si pronar dhe menaxher i kompanisë, dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë kësaj periudhe, nga llogaria e kompanisë janë tërhequr pa mbulim përkatës rreth 145 mijë euro. Gjithashtu, janë dhënë hua për persona fizikë në vlerë prej rreth 353 mijë eurosh, të cilat nuk janë evidentuar në dokumentacionin tatimor.
Dy të dyshuarit nuk kanë deklaruar as detyrimet e vjetruara në vlerë prej rreth 2.4 milionë eurosh si të hyra në bilancin tatimor për vitin 2023.
Përveç kësaj, dyshohet se kanë përvetësuar mallra tregtare nga stoqet e kompanisë, në vlerë prej rreth 243 mijë eurosh, pa i shlyer detyrimet përkatëse tatimore.
Si rezultat i këtyre veprimeve, sipas Policisë Financiare, është shmangur pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së, në vlerë të përgjithshme prej rreth 378 mijë eurosh.
Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për veprën penale “Fshehje tatimore”.



