Deputeti Tahiri ngre dyshime për lidhjet e BDI-së me rrjetet financiare serbe përmes “Alta bankës”

Deputeti i VLEN-it, Zekirija Tahiri ka ngritur pretendime serioze lidhur me raportet e mundshme të BDI-së me rrjetet e interesave financiare serbe përmes “Alta bankës”.
Duke folur sot në një komision parlamentar në Kuvend, Tahiri tha se në opinion janë ngritur dyshime për transaksione financiare ku, sipas pretendimeve “përfshihen edhe anëtarë të familjes së Ali Ahmetit dhe interesa të mundshme për përfitime familjare”.
“Nëse këto pretendime vërtetohen, nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje bankare, por me një çështje që prek interesin publik, transparencën dhe përgjegjësinë politike”, deklaroi Tahiri.
Ai kërkoi sqarime nga institucionet kompetente nëse janë verifikuar transaksionet e përmendura, origjina e mjeteve financiare dhe pronësia përfituese.
Tahiri ngriti gjithashtu pyetjen nëse institucionet kanë pasur sinjale për këto transaksione dhe çfarë veprimesh kanë ndërmarrë Policia financiare dhe organet e tjera përgjegjëse.
Ai kërkoi transparencë dhe përgjegjësi institucionale për pretendimet që, nëse konfirmohen, “mund të kenë pasoja për interesin publik dhe përgjegjësinë politike”.


