Plagosen gazetari palestinez dhe aktivistja e huaj nga sulmi i kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

Një gazetar palestinez dhe një aktiviste e huaj solidarizuese u plagosën sot, kur kolonë izraelitë sulmuan vjelësit e ullinjve në jug të Nablusit, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Kryetari i Komunës së Kusras, Abdul Azim Wadi tha për Anadolu se kolonët izraelitë sulmuan vjelësit e ullinjve dhe aktivistët e huaj në tokat që ndodhen mes qyteteve Kusra dhe Jalud. Si pasojë e sulmit u plagosën Alaa Badarneh, fotoreporter i Agjencisë Evropiane të Fotove (EPA) si dhe një aktiviste e huaj, ndërsa u dëmtuan edhe disa automjete, tha Wadi.
Ai shtoi se Kusra ka humbur një pjesë të tokave të saj për shkak të kolonëve izraelitë dhe se këtë vit ka përjetuar një sezon veçanërisht të vështirë të vjeljes së ullinjve, për shkak të sulmeve të përsëritura. Sipas tij, banorët kanë arritur të vjelin vetëm rreth 33 për qind të ullinjve në tokat e tyre.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe bëri të ditur se ekipet e saj i dhanë ndihmën e parë në terren Badarnehut, i cili kishte pësuar lëndime në dorë si pasojë e goditjeve dhe hedhjes së gurëve nga kolonët izraelitë. Sulmi ndodhi në një kohë kur janë shtuar sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, që nga nisja e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, në tetor të vitit 2023.
Këto sulme kanë përfshirë vrasje, arrestime, shkatërrime të shtëpive dhe objekteve të tjera, djegie të xhamive dhe automjeteve, rrafshim të tokave bujqësore, pengim të fermerëve për të arritur në tokat e tyre, zhvendosje të komuniteteve palestineze dhe zgjerim të vendbanimeve të paligjshme.
Sipas të dhënave palestineze, gjatë kësaj periudhe në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë më shumë se 1.220 palestinezë, rreth 13.746 të tjerë janë plagosur ndërsa mbi 26 mijë janë ndaluar.
Palestinezët paralajmërojnë se zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve dhe sulmet po i hapin rrugën aneksimit zyrtar të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke minuar perspektivat për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së.



