Zgjerohet projekti “Qyteti i Sigurt”: Kamera të lëvizshme dhe kontrolle në pikat e rrezikshme në Maqedoninë e Veriut, paralajmëron Toshkovski
Ministria e Punëve të Brendshme planifikon të vendosë kamera për matjen e shpejtësisë në automjetet policore, të cilat do të mund të zbulojnë kundërvajtjet edhe gjatë kohës që janë në lëvizje. Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se paralelisht do të sigurohen edhe kamera të lëvizshme për pikat kritike të trafikut.
Toshkovski shpjegoi se analizat kanë treguar se vendosja e kamerave vetëm në lokacione të përcaktuara paraprakisht nuk do të sigurojë efekt të mjaftueshëm parandalues. Sipas tij, drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të kapen duke shkelur rregullat e trafikut në çdo lokacion.
Për këtë arsye, propozimi i ekspertëve është që automjetet ekzistuese policore të pajisen me kamera që do të mund të matin shpejtësinë gjatë lëvizjes. Gjithashtu, është planifikuar blerja e kamerave të lëvizshme, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, ku më së shpeshti ndodhin aksidente trafiku me viktima dhe persona të lënduar rëndë.
Ministri paralajmëroi gjithashtu punë intensive për identifikimin e të gjitha pikave kritike të trafikut në Maqedoninë e Veriut, si në zonat urbane, ashtu edhe në rrugët kryesore dhe ato ekspres.
Duke iu përgjigjur kritikave ndaj projektit “Qyteti i Sigurt”, Toshkovski u bëri thirrje qytetarëve të kenë parasysh se gjatë 15 viteve të fundit, më shumë se 2.000 njerëz kanë humbur jetën në aksidente trafiku.
Ai theksoi se aktivitetet nuk do të përfundojnë me vendosjen e kamerave, por do të vazhdojnë edhe në fusha të tjera që lidhen me përmirësimin e sigurisë në komunikacion.



