Italia kërkon lirimin e vullnetarëve të saj të ndaluar nga Izraeli në Bregun Perëndimor

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani tha sot se italianët e arrestuar nga autoritetet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar nuk kanë “bërë asgjë”, duke bërë thirrje për kthimin e tyre në Itali, raportoi ANSA, transmeton Anadolu.
“Ne po e ndjekim rastin. Ata nuk bënë asgjë, ata thjesht ishin atje duke kryer aktivitete bujqësore, duke korrur ullinj. Shpresojmë që ata të kthehen në Itali sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Tajani.
Të arrestuarit ishin midis 14 vullnetarëve ndërkombëtarë të arrestuar pranë Kafr Ni’ma, rreth 23 kilometra nga Ramallahu ndërsa ndihmonin palestinezët me korrjen e ullirit.
Midis italianëve ishte Giorgia Lombardi, një këshilltare e qytetit në La Spezia dhe një anëtare e Këshillit Kombëtar të Europa Verde.
Angelo Bonelli, një ligjvënës nga Aleanca e Gjelbër dhe e Majtë dhe bashkë-zëdhënës për Europa Verde tha se vullnetarët janë sulmuar pasi fermerët palestinezë u sulmuan nga pushtuesit izraelitë. Ai pretendon se forcat izraelite më pas i arrestuan vullnetarët dhe ua konfiskuan pasaportat.
Bonelli i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme të Italisë dhe përfaqësuesve diplomatikë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të garantuar sigurinë dhe lirimin e qytetarëve italianë dhe vullnetarëve të tjerë.



