“Zgjedhjet e parakohshme”, Sulejmani: E çojmë mandatin deri në fund, përmbushim premtimet ndaj qytetarëve

Zëvendësministri i Arsimit nga radhët e VLEN-it, Driton Sulejmani, ka deklaruar se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se prioritet i koalicionit qeverisës është realizimi i projekteve të premtuara para qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Debat në Shenja”, Sulejmani tha se VLEN dhe VMRO-DPMNE synojnë që mandatin qeverisës ta përfundojnë deri në fund, në vend që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“VLEN dhe VMRO-DPMNE kanë për qëllim ta dërgojnë mandatin deri në fund. Me rëndësi është të realizojmë projektet që kemi premtuar para qytetarëve, sesa të mbahen zgjedhje që dihet rezultati”, deklaroi Sulejmani.
Ai u shpreh i bindur edhe për rezultatin e mundshëm të VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve lokale.
“Fitues i padiskutueshëm do të jetë VLEN, sepse kjo ndodhi jo më larg se zgjedhjet lokale”, tha Sulejmani.



