Mexhiti viziton tri kompani në Bogovinë: Bizneset vendore kanë nevojë për kushte më të mira për investime

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vizituar tri kompani në Komunën e Bogovinës, ku është njohur nga afër me aktivitetet prodhuese dhe sfidat me të cilat përballen bizneset vendore.
Gjatë vizitave, Mexhiti qëndroi te Frigoteknika 2000, e cila prodhon pajisje ftohëse për sektorin tregtar dhe i eksporton ato edhe në tregjet evropiane; te BesaShop – Fati 2000, që merret me riciklimin dhe përpunimin e materialeve inerte për ndërtimtari; si dhe te Multipark Izairi / MPI Copper në Kamjan, ku prodhohen tela dhe gjysmëprodukte bakri për tregjet ndërkombëtare.
Në njoftimin e tij, Mexhiti theksoi se gjatë takimeve me drejtuesit e kompanive diskutuan për sfidat në prodhim dhe kushtet e nevojshme për zgjerimin e investimeve.
„Këtu kanë rol si komuna, ashtu edhe institucionet qendrore. Me infrastrukturë më të mirë dhe procedura më të thjeshta, mund t’u krijojmë bizneseve kushte për ta zgjeruar prodhimin“, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se rritja e bizneseve vendore ndikon drejtpërdrejt në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të komunave.
„Kur bizneset vendore rriten, ato hapin vende të reja pune dhe i japin hov zhvillimit ekonomik të komunave tona“, theksoi Mexhiti.



