Sali në Dablin takon ministrin irlandez për Çështje Evropiane: Zgjerimi i BE-së duhet të shoqërohet me vendime të drejta dhe konkrete

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Dablin ka zhvilluar takim me ministrin irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne, ku në fokus të diskutimit ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe hapat e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit.
Sali bëri të ditur se gjatë takimit ka vlerësuar mbështetjen e Irlandës dhe angazhimin e Presidencës së saj për ta mbajtur zgjerimin në krye të agjendës evropiane.
“Reformat dhe përparimi i vendeve kandidate duhet të shoqërohen me vendime të drejta, të parashikueshme dhe rezultate konkrete”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se me homologun irlandez kanë diskutuar edhe për Agjendën e Reformave, integrimin gradual dhe forcimin e institucioneve, si dhe për përfitimet që qytetarët dhe bizneset mund t’i ndiejnë edhe përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit të plotë në BE. Perspektiva evropiane duhet të përkthehet në mundësi reale për qytetarët tanë”, u shpreh Sali.



