Sali në Dublin: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, synimi është barazia reale dhe përfaqësimi i drejtë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë pjesë në një diskutim në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin, kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Gjatë diskutimit, Sali prezantoi përvojën e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës ndëretnike, duke vënë në pah edhe rëndësinë e përvojës së Irlandës me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë.
“Ishte një mundësi e rëndësishme për të prezantuar përvojën e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës ndëretnike. Në këtë kontekst, edhe përvoja e Irlandës me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë na kujton se paqja nuk është vetëm përfundimi i një konflikti, por një përgjegjësi e vazhdueshme”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se, 25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, sfida mbetet zbatimi i parimeve të saj përmes barazisë reale, përfaqësimit të drejtë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Njëzet e pesë vite më vonë, detyra jonë është që parimet e Marrëveshjes së Ohrit t’i shndërrojmë në barazi reale, përfaqësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Sepse një shoqëri e drejtë dhe gjithëpërfshirëse është edhe themeli i së ardhmes sonë evropiane”, theksoi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali.



