Kosovë, për të dytën ditë protestohet nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”

Për të dytën ditë me radhë është mbajtur marshi i protestuesve drejt Ministrisë së Drejtësisë në shenjë proteste lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, raporton Anadolu.

Protestuesit, pasi u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, vazhduan para Ministrisë së Drejtësisë, ku hodhën tymues dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla.

Pas Ministrisë se Drejtësisë, protestuesit vazhduan te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Policia dhe Qeveria për të kërkuar llogari institucionale.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mblodhi disa qindra qytetarë.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Për të premten është paralajmëruar nga Zyra e Kryeministrit se dy ministrat e qeverisë, Donika Gërvalla si dhe Xhelal Sveçla do të mbajnë konferencë për media lidhur me këtë rast dhe veprimet e ndërmarra.

Për rastin e Arlinda Zekajt u pezullua një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë

Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar të enjten lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Zekajt.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës tha më vonë se i ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt.

Ndaj këtyre zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre në rastin në fjalë, tha Policia.

Gjithashtu, të enjten, me 90 vota për, Kuvendi votoi për formimin e një komisioni hetimor për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, disa orë pasi kishte raportuar tek autoritetet përkatëse dhunë në familje.

I dyshuari për vrasjen me inicialet A.S., u arrestua të mërkurën në mbrëmje.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor, kryeministri Albin Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe” dhe një gjë e tillë “e bën edhe më të pafalshme situatën”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button