Nga Gjykata Supreme te prokuroritë: Shqiptarët në krye të institucioneve kyçe të drejtësisë!

Emra shqiptarë po drejtojnë një sërë institucionesh të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, nga gjykatat deri te prokuroritë publike.
Kështu, në krye të Gjykatës Supreme është Afrim Fidani, ndërsa Gjykata e Apelit në Gostivar drejtohet nga Bekim Mehmedi. Gjykata Administrative udhëhiqet nga Burim Sejdini në cilësinë e ushtruesit të detyrës, kurse Gjykata Themelore Civile në Shkup nga Besnik Avdija.
Përfaqësimi shqiptar është i pranishëm edhe në institucionet e prokurorisë. Këshilli i Prokurorëve Publikë tanimë drejtohet nga Bashkim Besimi, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Gostivar nga Faik Arsllani.
Poashtu, prokuroritë themelore në Tetovë, Kumanovë dhe Dibër drejtohen përkatësisht nga Besir Aliu, Teuta Bediu Ramadani dhe Neat Croj.
Këto pozita dëshmojnë praninë e rëndësishme të kuadrove shqiptarë në institucionet e gjyqësisë dhe prokurorisë.
Përfaqësimi në institucionet shtetërore është çështje kyçe, ndërsa sfida mbetet që kjo të shoqërohet me profesionalizëm, pavarësi institucionale dhe besim më të madh të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ndërkaq, ndryshimet në drejtësi janë pjesë e debatit për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet kyçe të shtetit, në një periudhë kur kërkohet që institucionet të funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve.



