Kasami mirëpret Albulena Haxhiun në Shkup, vizitojnë Çarshinë dhe bisedojnë me qytetarë e zejtarë

Bashkëkryetari i partisë VLEN, Bilall Kasami, së bashku me kolegët nga presidenca e VLEN-it, ka mirëpritur në Shkup kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Gjatë vizitës në Çarshinë e Shkupit, ata kanë bashkëbiseduar me qytetarë dhe zejtarë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe projektet e përbashkëta.
“Kënaqësi ta mirëpresim në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu.
Së bashku me kolegët nga presidenca e VLEN-it dhe me znj. Haxhiu, vizituam Çarshinë e bukur të Shkupit, ku bashkëbiseduam me qytetarë e zejtarë.
Në një bashkëbisedim miqësor, biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy republikave tona, projektet e përbashkëta infrastrukturore që po i shtyjmë si asnjëherë më parë dhe planet për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi.
Bashkë me Kosovën, bëjmë më të mirën për qytetarët tanë!”, ka shkruar Kasami.



