Të burgosurit pa kujdes mjekësor, Avokati i Popullit alarmon edhe për mungesë të personelit

Personave të privuar nga liria u mungon qasja në kujdesin shëndetësor, kontrolleve specialistike dhe terapisë së rregullt. Avokati i Popullit, Faton Selami thotë se një person i privuar nga liria i meriton shërbimet mjekësore njësoj si çdo qytetar tjetër dhe se kjo e drejtë nuk duhet që të ju shkelet. Ai gjithashtu theksoi se problemet në sistemin e burgjeve përfshijnë shumë segmente dhe jo vetëm kujdesin e dobët shëndetësor.

“Problemet në sistemin e burgjeve janë komplekse dhe përfshijnë shumë segmente, siç janë kushtet e akomodimit, higjiena, ushqimi, risocializimi, sistemi arsimor e të tjera. Prandaj, kujdesi shëndetësor është vetëm njëri prej këtyre segmenteve, por do të thoja që një segment shumë i rëndësishëm, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor parësor, dytësor apo tretësor, ose për shërbimet stomatologjike”, deklaroi Faton Selami-Avokati i Popullit.
Sonja Trifunovska kërkon një qasje multidisiplinare për zgjidhjen e problemeve në kujdesin shëndetësor në burgje duke thënë se një ndër problemet kryesore qëndron tek mungesa e personelit dhe shpërndarja e pabarabartë të tyre.

“Sipas raportit në burgun e Idrizovës një mjek kujdeset për 691 persona, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor për 461 persona. Qasja deri te specialistët shtyhet nga mungesa e automjeteve dhe e personelit për transport, si dhe vonesat në marrjen e rezultateve diagnostikuese, mund ta vonojnë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Udhëzimi mjekësor formal nuk është i mjaftueshëm nëqoftëse shërbimi realizohet me vonesë”, tha Sonja Trifunovksa- zëvendësja e Avokatit të Popullit.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, 7 nga 11 institucionet ndëshkuese korrektuese apo 63.6% kanë mungesë personeli mjekësor, kurse asnjëra nga ato nuk ofron shërbim 24 orësh. Problem kryesor qëndron edhe mbipopullimi i burgjeve ku sipas të dhënave 63.6% janë të mbipopulluara. Në sistemin e burgjeve mungojnë barnat dhe shërbimet për shëndetin mendor e social, ndërsa kontrollet mjekësore për dokumentimin e duhur të lëndimeve dhe dyshimeve për dhunë ndaj personave të privuar janë të pakta./Alsat.mk.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button