SHBA-ja vendos sanksione ndaj GJNP-së, kërcënon se do t’i “japë fund” gjykatës

SHBA-ja vendosi të premten sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), njoftoi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, disa orë pasi ish-gjyqtarja e kësaj gjykate, Navi Pillay, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, transmeton Anadolu.
“Presidenti Trump nuk do të lejojë kurrë që Gjykata Ndërkombëtare Penale të ndjekë penalisht amerikanët. Prandaj, sot, Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha Rubio në një deklaratë.
Rubio tha se Washingtoni e kishte shtyrë shpalljen e këtyre sanksioneve “me shpresën se GJNP-ja do të ndryshonte qëndrim ose se do të vihej nën kontroll nga shtetet palë”, por asnjëra palë nuk kishte “ndërmarrë hapa domethënës për të adresuar shqetësimet tona”.
“Ose GJNP-ja do t’u japë fund kërcënimeve të saj, ose ne do t’i japim fund GJPN-së”, tha Rubio, duke u bërë thirrje aleatëve të SHBA-së që janë anëtarë të gjykatës “ta frenojnë gjykatën”.
“Nëse nuk e bëjnë këtë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë fushatën e tyre për ta shpërbërë GJNP-në, gur pas guri, derisa amerikanët të mos jenë më nën kërcënim”, shtoi ai.
GJNP-ja i kundërshtoi ashpër sanksionet, duke i cilësuar ato si sulm ndaj sundimit të ligjit.
Gjykata u bëri gjithashtu thirrje shteteve anëtare të sigurojnë vazhdimësinë e funksionimit të saj.
Njoftimi erdhi disa orë pasi Pillay, juriste nga Afrika e Jugut, e cila shërbeu në Dhomën e Apelit të GJNP-së nga viti 2003 deri në vitin 2008, fitoi Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Sanksionet pasuan gjithashtu shtimin e presionit amerikan ndaj gjykatës, pasi në nëntor të vitit 2024 ajo lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të dyshuara lufte në Gaza.
Më herët, në muajin gusht, Washingtoni kishte vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJNP-së, përfshirë presidenten e gjykatës, Tomoko Akane.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Camp David më 31 korrik, presidenti amerikan Donald Trump tha se fushata e Rubios kundër gjykatës nuk kishte për qëllim mbrojtjen e tij.
“Ai po përpiqet të mbrojë Bibin dhe disa të tjerë”, tha Trump, duke iu referuar Netanyahut.
GJNP-ja ka 125 shtete anëtare. As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk janë palë në këtë gjykatë.



