Burgim i përjetshëm për vrasësin nga Nagoriçani i Vjetër

Gjykata Themelore në Kumanovë i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm 25-vjeçarit Trajçe Bojkovski nga Star Nagoriçani, i cili është shpallur fajtor për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasjen e grave.
Bojkovski është dënuar për vrasjet e Stançe Karovskës, Janka Antevskës, Marija Marinkovskës dhe Mira Stankovskës.
Sipas fakteve të vërtetuara gjatë procedurës gjyqësore, veprat penale janë kryer në periudhën nga janari i vitit 2025 deri në shkurt të vitit 2026. Viktimat ishin kryesisht gra të moshuara dhe të pambrojtura, të cilat jetonin vetëm.
Vrasja e parë ndodhi natën mes 5 dhe 6 janarit 2025, në fshatin Kleçovcë, ndërsa e dyta u krye në periudhën nga 5 deri më 7 qershor të po atij viti, në fshatin Dragomancë.
Në këtë rast përfshihen edhe dy tentativa për vrasje në fshatin Çellopek. E para ndodhi më 22 korrik 2025, kur gruaja arriti të kërkonte ndihmë dhe ta ndalte sulmuesin, pas së cilës ai u largua. Tentativa e dytë, sipas Prokurorisë, ndodhi më 9 shkurt 2026, kur Bojkovski hoqi dorë nga qëllimi i tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Ai është dënuar gjithashtu për vrasjen e një gruaje në Star Nagoriçan në janar të vitit 2026, si dhe për vrasjen e një gruaje të moshuar në Çellopek në shkurt të po atij viti.
Me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, Gjykata Themelore në Kumanovë përfundoi procedurën gjyqësore në shkallë të parë për rastin që përfshin katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje.


