Katër të arrestuar në Gostivar e Tetovë: Policia gjeti armë, municion dhe drogë

Një 69-vjeçar nga Gostivari, U. R., është arrestuar pasi gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në ambientet ndihmëse janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike me karikator me gjashtë fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator me 17 fishekë të kalibrit 7.65 mm, si dhe disa kuti me gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Kontrolli, me urdhër gjykate, është kryer gjatë ditës së djeshme.
Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës.
Poashtu më 6 tetor 2026, në orën 18:00, 22:15 dhe 23:20, zyrtarë policorë nga Ekipi Mobil “Task Force” pranë Njësisë së Punëve të Brendshme Gostivar dhe pranë SPB Tetovë privuan nga liria R. J. (47) dhe S. N. (29) nga Gostivari, si dhe G. O. (44) nga Tetova.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e R. J., i kryer me urdhër gjykate, janë gjetur dhe konfiskuar dy paketime me marihuanë. Gjatë kontrollit të S. N. është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ndërsa, gjatë kontrollit të G. O. është gjetur dhe konfiskuar kokainë.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse.



