Maqedonia përballë Zvicrës, sonte ndeshja në Lucern

Kombëtarja e Maqedonisë sonte e pret një tjetër përballje me Zvicrën, dhjetë ditë pas ndeshjes në Shkup. Ky do të jetë takimi i xhiros së katërt në Ligën e Kombeve, grupi B. Vendasit janë favoritë absolutë. Zvicra i ka fituar të tri ndeshjet që nga fillimi i ciklit, ndërsa Maqedonia i ka humbur të gjitha, pa shënuar asnjë gol.
Në Shkup, në xhiron e parë, Zvicra fitoi 3:0. Trajneri Goce Sedlloski pret paraqitje më të mirë krahasuar me duelin e parë mes dy skuadrave.
“E dimë se çfarë përfaqësuese është Zvicra dhe me çfarë lojtarësh disponon. Duhet t’i tejkalojmë gabimet nga ndeshja e parë. Në fushë do të dalim për të dëshmuar se dimë t’i eliminojmë problemet që i patëm, me lojë kolektive dhe duke luftuar njëri për tjetrin. Zvicra është një superfuqi, por ne nuk kemi ardhur këtu vetëm për të luajtur një ndeshje, por për të bërë diçka. Duam një ndeshje të mirë dhe të gëzohemi pas humbjeve që patëm”, deklaroi Sedlloski në konferencën zyrtare për media para ndeshjes.
Ndeshja do të zhvillohet në “Thermoplan Arena” në Lucern, me fillim nga ora 20:45.



