Beograd, nis takimi i 20-të vjetor i ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore

Në Beograd ka nisur takimi i 20-të vjetor i ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore (EJL), i fokusuar në përparimin lidhur me Politikën e Përbashkët Bujqësore (Common Agricultural Policy – CAP), programin IPARD dhe integrimin evropian, transmeton Anadolu.
Në takimin jubilar të 20-të vjetor marrin pjesë ministrat dhe drejtuesit e delegacioneve të vendeve të EJL-së, ambasadorë, përfaqësues diplomatikë si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, por edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale si Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Takimin e hapi ministri serb në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Dragan Glamoçiq, raportoi Tanjug. Siç u tha në hapje, takimi jubilar i 20-të vjetor i ministrave të Bujqësisë të EJL-së është mundësi për diskutime të nivelit të lartë mbi të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Gjithashtu u theksua se Serbia merr kryesimin e Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal të vendeve të EJL-së (SWG), duke marrë kështu rol të rëndësishëm në orientimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Takimi është organizuar nën patronazhin e përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Serbisë dhe Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në EJL (SWG).



