Kosovë, identifikohen me ADN 3 viktima të “Grupit të Intelektualëve” të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë

Eshtrat e tre viktimave shqiptare të luftës në Kosovë, të zhvarrosur javë më parë në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë identifikuar me ADN nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nisje të vizitës në SHBA ka bërë të ditur se është njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tre raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore.
“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tre viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe”, tha Kurti.
Ai njoftoi se raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe mënjëherë dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tre viktimave të identifikuara.
Kurti njoftoi tutje se në ditët dhe javët në vijim presin të pranojnë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vjetësh.
Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër ndërsa vetëm për pak ditë u zbuluan mbetje njerëzore edhe në Jabukë.
Gjatë vizitës në këtë lokacion, Kurti kishte theksuar se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian (BE), të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, si dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.



