Hoxha: Thellojmë bashkëpunimin me Gjermaninë për politikat klimatike dhe mbrojtjen e natyrës

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka zhvilluar takim me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mjedisit, Veprimit Klimatik, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Bërthamore të Gjermanisë, Bettina Hagedorn.
Takimi u zhvillua në margjinat e Takimit Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Mal të Zi.
Hoxha bëri të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në fushën e politikave klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Biseduam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në fushën e politikave klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hoxha.
Ministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e gjelbër dhe përpjekjet e përbashkëta për një zhvillim më të qëndrueshëm të rajonit.
“Theksova rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme gjermane për zhvillimin e gjelbër dhe përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një të ardhmeje më të pastër, më të qëndrueshme dhe më rezistente për rajonin tonë”, u shpreh ai.
Hoxha tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë dialogun dhe bashkëpunimin me Gjermaninë në realizimin e prioriteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe klimës.
“Vazhdojmë dialogun e hapur dhe bashkëpunimin e fortë me Gjermaninë në realizimin e prioriteteve tona të përbashkëta të gjelbra”, përfundoi ministri.



