Pësoi infarkt sapo ra në kontakt me ujin, humb jetën pushuesi nga Kosova në Velipojë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Velipojës, ku një pushues 70-vjeçar ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si shtetasi Seladin Bytyqi, shqiptar nga Kosova, i cili dyshohet se ka pësuar një atak kardiak menjëherë pas kontaktit me ujin e detit.
Pas përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së tij shëndetësore, pushuesit e pranishëm në zonë dhe shërbimi i urgjencës mjekësore të Velipojës kanë reaguar pa vonesë duke i dhënë ndihmën e parë.
Pavarësisht përpjekjeve të shpejta të mjekëve dhe personave të pranishëm për ta mbajtur në jetë, 70-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Grupi hetimor ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe konfirmimin mjekësor të shkakut të vdekjes së të moshuarit.
Velipojë / Informacion paraprak
Rreth orës 15:15, në zonën e “Plazhit të Vogël”, Velipojë, shtetasi kosovar S. B., 68 vjeç, dyshohet se gjatë kohës që po lahej në det, ka pësuar një arrest kardiak dhe për pasojë, është mbytur.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



