Besar Durmishi: Marrëveshje me Katarin për më shumë mundësi dhe investime konkrete

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me Ministrin e Punës të Shtetit të Katarit, Dr. Ali bin Said bin Samih Al-Mari, nënshkroi Memorandum për bashkëpunim, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit.
Durmishi theksoi se synimi është krijimi i më shumë mundësive për qytetarët, përmirësimi i kushteve dhe sigurisë së punëtorëve, si dhe hapja e perspektivave të reja ekonomike.
Sipas tij, mbi 3.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut jetojnë dhe punojnë në Katar, ndaj bashkëpunimi institucional duhet të jetë në funksion të interesave dhe të drejtave të tyre.
Ministri Durmishi nënvizoi gjithashtu potencialin e madh të Katarit për investime, tregti dhe bashkëpunim ekonomik, duke shprehur angazhimin që ky potencial të shndërrohet në investime konkrete, vende të reja pune dhe mundësi për qytetarët.
“Ne nuk duam marrëveshje vetëm në letër. Duam marrëveshje që sjellin rezultat, partneritete që hapin dyer dhe ekonomi që krijon mundësi për njerëzit tanë”, theksoi Durmishi.



