Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miraton projektligjin për ndëshkimin e universiteteve për bojkotet ndaj Izraelit

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi një projektligj të mbështetur nga republikanët, i cili parashikon ndëshkimin e universiteteve që marrin pjesë në bojkotet ndaj Izraelit ose që kufizojnë studentët nga pjesëmarrja në programet e shkëmbimit me atë vend, transmeton Anadolu.

Ligji për Mbrojtjen e Lirisë Ekonomike dhe Akademike u miratua me 237 vota pro dhe 169 kundër, ndërsa 33 demokratë votuan në favor të tij së bashku me republikanët dhe dy republikanë kundërshtuan legjislacionin. Projektligji tani i kalon Senatit.

Sipas projektligjit, kolegjet dhe universitetet që marrin pjesë në programet federale të ndihmës studentore do të ndalohen të marrin pjesë në bojkotet ndaj Izraelit.

Institucionet që marrin fonde federale për programet e studimeve ndërkombëtare dhe gjuhëve të huaja do të duhet gjithashtu të certifikojnë çdo vit se nuk kufizojnë studentët nga pjesëmarrja në programe në Izrael ose studentët izraelitë nga pjesëmarrja në programet në kampuset e tyre.

“Kalbëzimi antisemitik që ka gërryer kampuset universitare duhet të çrrënjoset”, tha kongresmenia republikane Virginia Foxx nga shteti i Karolinës së Veriut, duke shtuar: “Sot, Dhoma e Përfaqësuesve dërgoi një mesazh të qartë: nëse një institucion i arsimit të lartë zgjedh t’i nënshtrohet lëvizjes gërryese BDS (Bojkot, Çinvestim dhe Sanksione), do të ketë pasoja – duke filluar me këtë legjislacion dypartiak”.

Demokrati Josh Gottheimer nga New Jersey, i cili bashkë-sponsorizoi projektligjin me Foxx, tha se ai ishte i nevojshëm për të luftuar antisemitizmin.

“Asnjë student, asnjë profesor nuk duhet të përjashtohet nga kërkimi shkencor, mundësitë për studime jashtë vendit ose partneritetet akademike, apo të ndihet i padëshiruar në klasë për shkak të vendit nga vjen ose fesë që praktikon. Megjithatë, pikërisht këtë synon të bëjë lëvizja e bojkotit, çinvestimit dhe sanksioneve – duke shënjestruar një vend dhe një fe: Izraelin dhe judaizmin”, tha ai.

“Projektligji im dypartiak me kongresmenen Foxx është i kufizuar dhe i përcaktuar – nuk prek të drejtën e askujt për të shprehur mendimin, protestuar apo zhvilluar debat akademik. Ai thjesht thotë se nëse universiteti juaj merr para nga taksapaguesit federalë, ai nuk mund të diskriminojë ndaj partneriteteve akademike ose investimeve me një vend”, shtoi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button