Nisi qarkullimi i linjës së parë të “trenit të qytetit” nga Zelenikova deri te Stacioni Hekurudhor

Nga sot nis të qarkullojë “Treni i Qytetit”, i cili lidh Zelenikovën me Stacionin Hekurudhor në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Kjo është e para nga tri linjat e parashikuara dhe niset nga Zelenikova, duke ndaluar në stacionet Novo Zelenikovë, Oreshan, Jane Sandanski, Draçevë, Lisiçe dhe në stacionin e fundit, atë Hekurudhor.

Qarkullimi në këtë linjë do të realizohet me tre trena, të cilët do të lëvizin sipas një orari të përcaktuar saktësisht, të përgatitur nga “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”. Për nevojat e projektit, NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë” ka realizuar rikonstruksion të plotë të hekurudhës, me ç’rast është rritur niveli i sigurisë dhe është shtuar kapaciteti për shpejtësi më të madhe të trenave.

Projekti “Treni i Qytetit” integrohet edhe me orarin e qarkullimit të NQP “Shkup”, ndërsa nga Hekurudhat thonë se në këtë mënyrë krijohet një transport publik cilësor, i integruar dhe efikas për qytetarët, studentët dhe nxënësit.

Nga Ministria e Transportit informojnë se paralelisht po punohet edhe në projektimin e dy linjave të tjera të këtij projekti. Linja e dytë është paraparë në trasenë Stacioni Hekurudhor – Butel – Shkup-Veri – Gjorçe Petrov. Ndërsa linja e tretë do të qarkullojë nga Stacioni Hekurudhor, përmes Autokomandës dhe Maxharit, deri në Ilinden.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button