Drejtoresha e SHFK “Penko” mohon mbylljen e paraleles shqipe: Vendimi është në përputhje me ligjin dhe rajonizimin

Drejtoresha e SHFK “Petar Zdravkovski – Penko” në Komunën e Butelit, Mevlide Kryeziu, ka reaguar ndaj informacioneve të publikuara në disa media lidhur me pretendimet për “mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe” në këtë shkollë, përcjell tetova1

 

Kryeziu i ka demantuar këto pretendime, duke theksuar se shkolla nuk ka marrë asnjë vendim për mbylljen e një paraleleje për shkak të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike.

 

Sipas saj, gjatë regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2026/2027 është zbatuar rajonizimi dhe legjislacioni në fuqi, në përputhje me nenin 63 të Ligjit për arsimin fillor dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit.

 

Ajo thekson se kriteri i vetëm i zbatuar ka qenë përkatësia e nxënësit ndaj rajonit të shkollës dhe se ky kriter është zbatuar në mënyrë të barabartë për të gjithë nxënësit, pa dallim të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike.

 

“Si drejtoreshë e SHFK ‘Petar Zdravkovski – Penko’, theksoj qartë se veprimet e ndërmarra nga shkolla nuk janë vendime personale të drejtorit, por zbatim i ligjit për arsim fillor, udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe vendimit të Këshillit të Komunës së Butelit për rajonizimin e shkollave fillore”, thuhet në demant.

 

Kryeziu shprehet gjithashtu se asnjë nxënës nuk është refuzuar për shkak se kërkon të ndjekë mësimin në gjuhën shqipe.

 

Sipas drejtoreshës, riorganizimi i paraleleve është bërë edhe për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, dukuri që, siç thekson ajo, është e pranishme edhe në disa shkolla të tjera.

 

Ajo shton se, nëse në të ardhmen do të ketë kërkesa të reja dhe rritje të numrit të nxënësve, me krijimin e kushteve të nevojshme, në shkollë do të hapen përsëri paralele shtesë në gjuhën shqipe.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button