Krimineli i luftës që nuk u pendua kurrë për krimet e tij në Bosnje e Hercegovinë: Kush ishte Ratko Mlladiq?

Ratko Mlladiçi u arrestua në vitin 2011, bazuar në aktakuzën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Dhjetë vjet më vonë, dënimi i tij me burgim të përjetshëm u konfirmua.
Krimineli i dënuar i luftës, Ratko Mlladiç, lindi në Bozhanovići, pranë Kalinovikut, më 12 mars 1942.
Pas shkollimit në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në Beograd dhe në Akademinë e Komandës dhe Shtabit, ai shërbeu si oficer në Maqedoni dhe në Prishtinë. Më pas ishte komandant i forcave jugosllave në Kroaci dhe më vonë i forcave serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Gjykata e Qarkut në Zadar e dënoi në mungesë me 20 vjet burg për krime lufte. Më 26 maj 2011, ai u arrestua në Lazarevë, pranë Zrenjaninit.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, me vendimin e shkallës së parë më 22 nëntor 2017, e dënoi Mlladiçin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera si gjenerali më i lartë në Ushtrinë e Republikës Srpska dhe me qëllim të krijimit të Republikës Srpska.
Ndërmarrjet kriminale
Në aktgjykim u konstatua se ai i kishte kryer këto krime duke marrë pjesë në katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale.
E para përfshinte planin për largimin e përhershëm të myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve boshnjakë nga territoret në Bosnjë dhe Hercegovinë që serbët e Bosnjës i konsideronin si të tyret.
Ndërmarrja e dytë kriminale kishte për qëllim përhapjen e terrorit në mesin e popullsisë civile përmes snajperëve dhe bombardimeve, siç ndodhi gjatë rrethimit të Sarajevës.
Qëllimi i ndërmarrjes së tretë kriminale ishte eliminimi i myslimanëve boshnjakë nga Srebrenica, ndërsa e katërta kishte për qëllim marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së, për të parandaluar NATO-n të kryente sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.
Ushtria dhe policia e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.
Në një moment gjatë shpalljes së aktgjykimit, Ratko Mlladiçi u ngrit dhe bërtiti: “Gënjeshtër, gënjeshtër”, ndërsa shau, për çka kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Orie, u kërkoi rojeve ta nxirrnin nga salla. Pjesën tjetër të aktgjykimit ai e ndoqi nga një dhomë e veçantë, përmes një ekrani.
Me aktgjykimin përfundimtar në Hagë, më 8 qershor 2021, iu konfirmua vendimi i shkallës së parë, përkatësisht dënimi me burgim të përjetshëm.
U dërgua në Kroaci
Në qershor të vitit 1991, Mlladiçi u dërgua në Knin, kryeqyteti dhe qendra e të ashtuquajturës Republika Serbe e Krajinës (RSK), si komandant i Korpusit të 9-të të JNA-së, me detyrën për të organizuar forcat serbe rebele në Kroaci.
Në vitin 1992, Mlladiçi u emërua komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS), ndërsa dy vjet më vonë u gradua gjeneral-kolonel.
Në krye të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së serbëve të Bosnjës qëndroi që nga themelimi i saj, më 12 maj 1992, deri më 8 nëntor 1996.
Pasi u shkarkua nga kjo detyrë nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, ai u fsheh në objektet ushtarake në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më pas në Serbi, ku për vite me radhë gëzoi mbrojtje gjatë kohës kur në pushtet ishin Slobodan Millosheviçi dhe Vojislav Koshtunica.
Nuk tregoi pendesë
Në asnjë moment gjatë gjyqit Mlladiçi nuk shfaqi pendesë për krimet e kryera. Përkundrazi, ai i fyente vazhdimisht gjyqtarët dhe i akuzonte për njëanshmëri.
Shumë serbë të Bosnjës ende e konsiderojnë kriminelin e luftës hero, duke pretenduar se një ushtarak i tillë nuk ishte në gjendje të urdhëronte vrasjen e njerëzve, veçanërisht të civilëve.
Boshnjakët që i mbijetuan tmerreve të luftës e shohin këtë mohim të vazhdueshëm të krimeve të luftës dhe glorifikimin e njerëzve si Mlladiçi si pengesën kryesore për arritjen e paqes në një vend që ende është thellësisht i ndarë në baza etnike.
Milorad Dodik, për shembull, ka thënë se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ia heqë Mlladiçit statusin e heroit. Me këtë qëndrim pajtohen shumë serbë të Bosnjës.
Në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, mes kroatëve, boshnjakëve dhe serbëve, humbën jetën pothuajse 100.000 njerëz, shumica e të cilëve i përkisnin komunitetit mysliman. Boshnjakët prej vitesh zhvillojnë fushatë kundër mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Arrogant në gjykatë, njësoj si gjatë luftës
Aktgjykimi i shkallës së parë i gjykatës së Hagës paraqiti në detaje pamje rrëqethëse të vrasjeve, rrahjeve, përdhunimeve dhe krimeve të tjera. Mlladiçi disa prej tyre i kishte urdhëruar personalisht ose kishte qenë dëshmitar i tyre.
Gjatë gjyqit ai nuk shfaqi pendesë, përkundrazi. Pavarësisht se ishte dukshëm më i dobët dhe herë pas here nuk ishte plotësisht koherent, ai përpiqej të ishte po aq arrogant sa gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në vitin 1995.
“Dua që armiqtë e mi, e kam shumë prej tyre, të ngordhin sepse unë ende jam gjallë”, kishte thënë Mlladiçi në fillim të gjyqit në Hagë.
Shijonte demonstrimin e pushtetit
Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mlladiçi shijonte shfaqjen e fuqisë së tij para kamerave, qoftë duke ngritur pesha, qoftë duke u mburrur para të burgosurve të tmerruar boshnjakë, pak para se ushtarët e tij t’i vrisnin.
“Mirëmbrëma, unë jam gjenerali Mlladiç”, është filmuar duke u thënë grave dhe fëmijëve të tmerruar që ishin ulur në një autobus dhe prisnin dëbimin nga shtëpitë e tyre në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Edhe ndërsa ai u drejtohej atyre, ushtarët e tij ndanin burrat nga pjesa tjetër dhe i përgatitnin për ekzekutim. Viktima më e re ishte 14 vjeç.
Theri një derr në prag të negociatave
Diplomati amerikan Christopher Hill e përshkroi Mlladiçin si brutal, arrogant dhe mendjemadh. Hill tregoi se, gjatë negociatave të thirrura në vitin 1995, ish-gjenerali theri një derr për të treguar brutalitetin e tij.
Në fund të luftës, kur tashmë ishte nën aktakuzën e gjykatës së Hagës, por edhe nën mbrojtjen e Slobodan Millosheviçit në Beograd, ai nuk kishte ndryshuar.
Pas rrëzimit të Millosheviçit në vitin 2000 dhe rritjes së presionit të Perëndimit që Serbia t’ia dorëzonte të akuzuarit ICTY-së, përfshirë Mlladiçin, ai u tërhoq nga jeta publike dhe u fsheh deri në arrestimin e tij.
Krimet e luftës gjatë agresionit kundër Kroacisë
Nën komandën e Mlladiçit, në shtator të vitit 1991, pesëdhjetë tanke sulmuan qytetin e Shibenikut. U shkatërruan Kijevo, Vrlika, zona përreth Shibenikut dhe Zadarit.
Ndërsa ishte në arrati nga drejtësia e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, besohej se fshihej ose në Serbi, ose në Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Thuhej se gjatë viteve ishte parë në disa lokacione, por u arrestua vetëm në maj të vitit 2011, nën emrin Milorad Komadiç.



