Shënohet 31-vjetori i masakrës në tregun Markale në Sarajevë

Me vendosjen e luleve, një minutë heshtje dhe leximin e pjesëve nga Kurani, iu bë nderim 43 qytetarëve të Sarajevës të vrarë në këtë ditë të vitit 1995 në Markale, pranë hyrjes veriore të tregut të qytetit.

Familjarët e viktimave, kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, delegacione të niveleve të ndryshme të pushtetit dhe përfaqësues të shoqatave vendosën lule në vendin e masakrës në rrugën Mula Mustafe Basheskije, pranë numrit 64.

Kryetarja e Unionit të Viktimave Civile të Luftës të Kantonit të Sarajevës, Senida Karoviq, theksoi se kjo masakër dallon nga krimet e tjera të kryera gjatë rrethimit të qytetit.

“Pas kësaj masakre kupa u mbush për opinionin botëror dhe pasuan sulmet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe përreth Sarajevës. E mbaj mend mirë atë ditë: kishte heshtje të plotë, qyteti ishte bosh, ndërsa rreth qytetit dëgjoheshin shpërthime të mbytura. Vetëm përmes mediave dhe dëshmive pamë se forcës mund t’i përgjigjesh vetëm me forcë. Prandaj, viktimat nga ky vend i sollën paqen Sarajevës dhe Bosnjës e Hercegovinës, pas së cilës pasoi Marrëveshja e Paqes e Dejtonit”, tha Karoviq.

Ajo theksoi se detyrimi i të mbijetuarve është t’ua përcjellin të vërtetën brezave të ardhshëm.

“Është detyrimi dhe amaneti ynë të dëshmojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve dhe nipërve tanë vuajtjet e 1.425 ditëve të rrethimit. Jo për t’u hakmarrë, por që të dihet e vërteta, kush ishte agresori dhe kush viktima”, tha Karoviq.

Duke iu referuar vdekjes së komandantit të atëhershëm të luftës të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, Karoviq tha se pas tij mbeten vendimet e Hagës dhe mijëra familje të përlotura.

“Shkoi ai që urdhëroi të keqen, që masakroi familjet tona dhe shkatërroi qytetet tona. Shkoi atje ku e meritonte, ndërsa pas tij mbetën krimet që kreu”, shtoi ajo.

Damir Malagiq, i cili në kohën e masakrës ishte 15-vjeç dhe shiste qirinj në treg, kujtoi momentin e sulmit në të cilin për pak sa nuk humbi jetën.

“Erdhën dy shokët e mi, Adnani dhe Dario, për t’u përshëndetur, sepse shkonim bashkë në shkollë. I përcolla deri te dera, ata dolën, ndërsa unë mbeta. Shpërthimi më hodhi tre ose katër metra në ajër, rashë përtokë, ndërsa ky mur më shpëtoi. Dola për të parë se çfarë kishte ndodhur me ta, por të mbijetuarit më të moshuar më tërhoqën brenda. Po të kisha dalë një hap më tej, edhe unë do të kisha vdekur”, tregoi Malagiq.

Duke komentuar glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe njoftimet për organizimin e ceremonive, Malagiq u bëri thirrje brezave të rinj që të ruajnë kujtimin për të vrarët.

“U bëj thirrje të rinjve të vijnë këtu në numër sa më të madh dhe t’u bëjnë nderim viktimave që u vranë në Sarajevë. Ata urdhëronin të na vrisnin, ndërsa edhe sot ka njerëz që e glorifikojnë këtë dhe thonë gjëra të papranueshme. Prandaj, është e rëndësishme të vini dhe të kujtoni”, tha Malagiq.

Një predhë mortaje e kalibrit 120 mm, e qëlluar atë mëngjes fatal nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska në drejtim të Trebeviqit, shpërtheu pranë hyrjes së Tregut të Qytetit të Sarajevës, gjë që konsiderohet një nga krimet më të tmerrshme të kryera nga formacionet ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe në Sarajevën e rrethuar.

Në masakrën e Markales, ku u vranë 43 dhe u plagosën rëndë 84 civilë, u krye krimi i fundit i madh në Sarajevën e rrethuar, pas së cilës pasoi operacioni i forcave të NATO-s me emrin “Deliberate Force” (Forca e Qëllimshme).

Udhëheqja ushtarako-politike e serbëve u detyrua atëherë të pranonte zhbllokimin e Sarajevës dhe të tërhiqte armët dhe artilerinë nga pozicionet përreth kryeqytetit të BeH-së.

Krimi në Markale, i cili ndodhi në fund të gushtit të vitit 1995, ishte masakra e dytë e madhe në atë treg të Sarajevës.

E para ndodhi më 5 shkurt 1994, kur një predhë mortaje e qëlluar nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska në zonën e fshatit Mrkoviqi ra në tregun e qytetit, i cili ishte plot me njerëz. Me këtë rast u vranë 68 dhe u plagosën 144 qytetarë të Sarajevës.

Për terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës u dënuan me burgim të përjetshëm ish-liderët politikë dhe ushtarakë të Republikës Sërpska, Radovan Karadxhiq dhe Ratko Mlladiq, ndërsa komandantët e Korpusit Sarajevo-Romanija të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Stanisllav Galiq dhe Dragomir Milosheviq, u dënuan me shumë vite burgim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button